Lajme Shqip Wednesday, 23 May 2012 12:10

Prishtinë (PLOTESUAR 20:00)- Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer, dënoi sot zjarrvënien që shkatërroi një shtëpi të një serbi të Kosovës dhe dëmtoi seriozisht një shtëpi tjetër mbrëmë në fshatin Drenoc të komunës së Klinës.
“Dënoj fuqimisht incidentin e fundit që preku të kthyerit serbë të Kosovës dhe pronën e tyre në komunën e Klinës. Incidentet e tilla shtojnë frikën mes komuniteteve tashmë të cënuara dhe ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ndëretnike, që si pasojë rrezikon procesin e kthimit”.

Almhofer u bëri thirrje policisë dhe institucioneve të marrin të gjitha veprimet e domosdoshme për të sjellë autorët e kësaj ngjarje para drejtësisë. “Kërkoj nga të gjithë faktorët relevantë që t’i afrohen komunitetit të prekur dhe të promovojnë komunikimin dhe bashkëpunimin për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për të ofruar një bashkëjetesë paqësore”, tha Almhofer. (LajmeShqip.com)

*******************************

Prishtinë – Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dënon ashpër incidentin e ndodhur në fshatin Dresnik të Komunës së Klinës, ku u dogjën dy shtëpi, pronë e dy familjeve të komunitetit serb.

Kjo ngjarje është kualifikuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm- zjarrvënie” dhe është duke u hetuar nga Hetimet Rajonale të Pejës, Njësitet e Forenzikës dhe Njësiti K9. Ministria e Punëve të Brendshme ftoi sot qytetarët “të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në zbardhjen e këtij rasti dhe vënien para organeve të drejtësisë, personat e përfshirë në këtë akt kriminal”.

Ministria e Punëve të Brendshme siguron të gjithë qytetarët e vendit se “sot jemi më të vendosur se kurrë për të mbrojtur jetën dhe pronën e të gjithë qytetareve pa dallim dhe nuk do të lejojmë, që akte të tilla kriminale të dëmtojnë përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ndërtuar një shoqëri tolerante, bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut pa dallim etnie, besimi apo bindje politike” (LajmeShqip.com)