Prishtinë – Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR), Pieter Feith përshëndeti sot hapjen e Qendrës për Shërbime të Qytetarëve (QSHQ) në Mitrovicën veriore dhe e vlerësoi si një hap tjetër i Qeverisë për ta çuar përpara përkushtimin e saj drejt ofrimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie.
Feith, në deklaratën e njoftuar nga zyra e tij, tha se “QSHQ-ja do të ofrojë shërbime të dobishme për qytetarët – në mënyrë specifike do të ofrojë një qendër të re për regjistrimin e bizneseve dhe OJQ-ve që do t’u mundësojë qytetarëve qasje më të gjerë në mundësitë ekonomike”.
Feith paralajmëroi se Ekipi Përgatitor Komunal (EPK) për Mitrovicën veriore do të vendoset gjithashtu në të njëjtin objekt me QSHQ-në.
“EPK-ja ka punuar që nga shkurti i vitit 2010 dhe ka realizuar një sërë projektesh që synojnë përmirësimin e standardeve të jetesës dhe kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e Mitrovicës veriore. QSHQ-ja do t’i mundësojë EPK-së që të përgatisë krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore”, tha ai.
Feith theksoi se “ICO-ja vazhdon ta mbështesë Qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për përmirësimin e shërbimeve publike dhe kushteve të jetesës në Kosovën veriore mbi bazat e demokratizimit, përparimit paqësor dhe kuptimit të njëmendtë të pronësisë lokale dhe të pjesëmarrjes në një Mitrovicë transparente dhe funksionale. Hapja e Qendrës për Shërbime të Qytetarëve është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim”.
Më tej, Feith ka thënë se kjo Qendër do të luaj një rol kyç në forcimin e lidhjeve midis Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj të pjesës veriore.
Wednesday, 25 May 2011 17:55