Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 21:15

Prishtinë – Target i biznesmenëve të Maqedonisë është që gjatë tre deri pesë vitet e ardhshme dyfish ta rrisin këmbimin tregtar me Kosovën, nga të deritanishmet 545 milionë në një miliardë dollarë.

Për këtë, siç thanë në forumin e sotëm afarist në Prishtinë, ekziston potencial. Degë bartëse do të jenë bujqësia, industria ushqimore dhe metalopërpunuese, ndërtimtaria dhe farmacia.

“Qëllimi ynë është që këmbimi i rritur të balancohet që nënkupton të zvogëlohet deficiti i madh tregtar nga pala kosovare. Vetëm kështu mundemi të vendosim marrëdhënie ekonomike në afat të gjatë”, deklaroi Mitko Aleksov nga Lidhja e Odave Ekonomike (LOE). Sipas tij, prodhimet dhe shërbimet e Maqedonisë nuk janë shtrenjtuar nga të tjerat në tregun kosovar dhe janë më konkurrente.

“Jemi të gatshëm për paraqitje në tregun kosovar, por dëshirojmë edhe një herë t’u themi autoriteteve sepër zhvillim të kompanive dhe bashkëpunimit është i domosdoshëm infrastrukturë e mirë”, tha Sead Koçan nga Oda për ndërtimtari pranë LOE-së.

Siç informoi ministri i Ekonomisë Valon Saraçini, i cili e kryeson delegacionin afarist të Maqedonisë në Prishtinë, vitin e ardhshëm duhet të fillojë ndërtimi i drejtimit rrugor Shkup – Bllacë. Pasi që Kosova ndaloi eksportimin e prodhimeve serbe, importimi nga Maqedonia është rritur për 25 për qind. Në tetë muajt e parë të këtij viti suficiti nga ana e Maqedonisë arriti në 340 milionë dollarë.

Saraçini para forumit afarist kishte takime bilaterale me ministrat kosovar të Ekonomisë dhe Tregtisë dhe Industrisë, Besim Beqaj dhe Mimoza Kusari në të cilat përqëndrimi ishte në intensifikimin e bashkëpunimit posaçërisht në pjesën e energjetikës dhe infrastrukturës. Gjatë bisedave si prioritare janë theksuar edhe agrari, mjedisi jetësor, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe sfera e politikës sociale.