Lajme Shqip Saturday, 22 October 2011 13:25

Shkup – Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, gjatë takimit dje me ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, Fatmir Besimi, tha se “bashkëpunimi mes dy ministrive është në nivel të lartë dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen me identifikimin e fushave me interes reciprok të dy vendeve dhe të rajonit në përgjithësi, në aspektin e sigurisë”.

Zyra e shtypit e Ministrisë së FSK-së njoftoi se “ministri Çeku e njohu ministrin Besimi mbi zhvillimin dhe arritjet e FSK-së deri në këtë fazë, si edhe e falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy ministrive”.

Nga ana e tij ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Fatmir Besimi, duke vlerësuar vizitën e ministrit Agim Çeku, si edhe bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive, premtoi vazhdim të thellimit të bashkëpunimit.

Ministri Çeku u takua gjithashtu edhe me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski, me të cilin foli për çështje me rëndësi në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve.