Prishtinë – Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në parim ndryshimin dhe plotësimin e 21 ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. 
Ndryshimet dhe plotësimet në këto 21 ligje janë aprovuar përmes një projektligji të vetëm, i cili pritet të fuqizohet në mes të muajit shtator.
Miratimi i ndryshim-plotësimit të ligjeve për përfundimin e fazës mbikëqyrëse të pavarësisë është mbështetur nga shumica e grupeve parlamentare, ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar me argumentin se mbikëqyrja po shfrytëzohet nga kryeministri i Kosovës për marrjen e kompetencave.
Ndryshimi i ligjeve për bartjen e përgjegjësive nga autoritetet ndërkombëtare tek ato vendore është bërë 10 ditë para takimit të radhës së Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar që pritet të mbahet në Vjenë, kur besohet se do të caktohet edhe data përfundimtare e shuarjes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, si organ që mbikëqyr të arriturat e Kosovës në zbatimin e planit të Ahtisarit.(LajmeShqip.com)
Friday, 22 June 2012 13:34