Prishtinë – Edhe pse kanë kaluar tre muaj nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës, përveç projekt-buxhetit të këtij viti nuk është arritur të miratohet asnjë ligj tjetër. Fajtorë për këtë situatë deputetët opozitarë e nxjerrin Kuvendin e më shumë Qeverinë që nuk ka dorëzuar me kohë agjendën legjislative, kurse deputetët e pozitës konsiderojnë se vonesat kanë ardhur si shkak i zgjatjes së krizës institucionale në vend.
Edhe pse pranon faktin se fillimi i punës së këtij legjislativi nuk paraqet një fillim të mirë pasi ka vonesa në miratimin e ligjeve, anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami thotë se kjo situatë ka ardhur pasi shumë kohë është humbur në ndërtimin e institucioneve, sidomos me zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, çfarëdo vonese më e madhe në agjendën legjislative shkakton probleme në funksionimin e institucioneve dhe pamundëson realizimin e objektivave që ka përcaktuar Kuvendi.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, thotë se për vonesat në agjendën e legjislativit fajtore më shumë është Qeveria e Kosovës, e cila është e vonuar në secilin hap të saj.
Edhe anëtari i Komisioni për Legjislacion nga radhët e AAK-së, Ardian Gjini ka lëshuar kritika në adresë të ekzekutivit për vonesa në dorëzimin e projekt ligjeve dhe mos harmonizim të punëve me Kuvendin.
Ndërkaq për dallim nga kolegët e saj, anëtarja e Komisionit për Legjislacion nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu është më e ashpër në kritika ndaj Qeverisë së Kosovës dhe fajëson edhe Kuvendin për vonesat në miratimin e ligjeve.
Madje sipas saj, do të jetë e pamundur të miratohen këto pasi ka edhe mungesë të vullnetit politik.
Ajo tha se shqetësuese është kostoja buxhetore në shumicën e projektligjeve, sepse nuk parashihet se ku do të merren mjetet për t’i implementuar ato pas hyrjes në fuqi.
Ndryshe më 2 qershor bëhen 100 ditë që nga konstituimi i institucioneve të vendit si legjislativi ashtu edhe ekzekutivi, mirëpo deri më tash ende nuk ka një ligj i cili është miratuar, përveç të disa ligjeve që kanë kaluar në lexim.
Saturday, 28 May 2011 15:55