Prishtinë – Seminari dyditor për raportimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, mblodhi gazetarët nga Prishtina dhe Beogradi, në një projekt të përbashkët të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Misionit të OSBE-së në Serbi.
Pjesëmarrësit e seminarit, i cili përfundoi sot në Prishtinë, janë pajtuar që bashkëpunimi mes gazetarëve dhe ambienti i punës i lirë nga presioni i paligjshëm, janë parakusht për raportim hulumtues të suksesshëm.
“Gazetaria hulumtuese dhe e suksesshme kërkon shkëmbim më të fuqishëm të informacionit dhe rrjetëzim. Për këtë arsye bashkëpunimi është i domosdoshëm pasi korrupsioni dhe krijimi i organizuar nuk njohin kufi”, tha Ambasadori Werner Almhofer, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Sipas njoftimit nga ky mision, seminari është vijim i një aktiviteti të ngjashëm të organizuar në Beograd në nëntor të vitit 2010, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit mes profesionistëve të medieve në gazetarinë hulumtuese.
Aktivitete të tilla janë planifikuar edhe për të ardhmen, me pjesëmarrjen e gazetarëve nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Tuesday, 24 May 2011 19:27