Prishtinë – Qeveria e Kosovës deri më tani në këtë mandat ka sjellë në Kuvendin e Kosovës rreth 20 projektligje, ndërkohë deri në vjeshtë, kur do të përgatitet Raporti i Progresit për Kosovën, duhet t’i procedojë mbi 70 ligje, që dalin si kërkesë e Raportit të Progresit për vitin 2010. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se pret që nëse jo të gjitha, shumicën prej tyre t’i sjellë Qeveria dhe Kuvendi do t’i miratojë sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Mirëpo, procedura e miratimit të ligjeve, nga leximi i parë në të dytin, sipas kryeparlamentarit Krasniqi kërkon një kohë prej tre muajsh dhe kjo mund të marrë kohë, duke pasur parasysh volumin e madh të ligjeve të kërkuara dhe faktin që Kuvendi i Kosovës mund të shkojë në pushim veror.
Kuvendi i Kosovës për tre muaj të këtij mandati nuk ka miratuar ende asnjë ligj, përderisa kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se Qeveria i ka sjellë 20 ligje, por të cilat janë në procedurë të shqyrtimit të parë.
Nga ana tjetër, Ardian Gjini, shef i grupit parlamentar të partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thekson se Kuvendi dhe Qeveria tash e sa kohë nuk po i përmbushin si duhet sfidat që iu dalin përpara.
Mbi të gjitha, ai kërkon që të rritet kualiteti i ligjbërjes, në mënyrë që mos të ketë plotësime dhe ndryshime kaq të shumta të ligjeve.
Ndryshe, deri në vjeshtë, Qeveria e Kosovës duhet t’i procedojë rreth 74 ligje, të cilat shumica janë plotësim dhe ndryshim i ligjeve që janë miratuar më parë në Kuvendin e Kosovës, por që nuk i kanë përmbushur kërkesat që dalin nga Raporti i Progresit për vitin 2010 i Komisionit Evropian.
Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancën plenare për të premten, në të cilën do të shqyrtohen në lexim të parë katër projektligje dhe dy raporte të agjencive të pavarura, ndërkohë sa i përket punës 100-ditësh të Qeverisë, ende nuk ka ndonjë kërkesë për debat, mirëpo kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se, nëse do të ketë një kërkesë të tillë, atëherë do t’i kërkohet Qeverisë që të sjellë një raport, mbi të cilin do të zhvillohet debati parlamentar.
Monday, 30 May 2011 17:35