Lajme Shqip Monday, 26 September 2011 17:37

Prishtinë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi të japë rekomandime për ndryshimin e Ligjit për zgjedhje, pasi që vlerësoi se kjo çështje u takon partive politike dhe institucioneve të ngritura për këtë çështje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi kërkesën e Grupit Punues për reformën zgjedhore, i cili ka kërkuar rekomandimet e KQZ-së për ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet.

KQZ refuzoi t’i bëjë këto rekomandime, pasi kryetarja Valdete Daka tha se kjo nuk është në përgjegjësi të KQZ-së, por e subjekteve politike që janë në kuadër të grupit për reformën zgjedhore.

“KQZ-ja nuk ka dhënë rekomandime në lidhje me sistemin zgjedhor, sepse edhe nuk i takon, sepse është kategori kushtetuese”, ka thënë Daka.

Kërkesën e grupit punues për zgjedhje e kundërshtuan edhe anëtarët tjerë të KQZ-së.

Florian Dushi nga LDK-ja vlerësoi se Grupi Punues duhet të merret më shumë me defektet e zgjedhjeve dhe mos të bëjë kërkesa të pavend ndaj KQZ-së.

Anëtarët tjerë të KQZ-së shtruan edhe çështjen e funksionimit të pavarur të këtij institucioni duke përmendur edhe një varg mangësish që e kanë shoqëruar në punën e tij. (LajmeShqip.com)