Prishtinë – Presidentja e Republikës, Atifefete Jahjaga, ritheksoi qëndrimin kundër ndarjes së Kosovës, duke theksuar se Kosova në dialogun me Serbinë diskuton çështjet teknike, ndërsa për çështjet e vijës së kuqe nuk do të ketë asnjë diskutim.
Në një konferencë shtypi pas kthimit nga Polonia, ku mori pjesë në Samitin e presidentëve të vendeve të Evropës Qendrore, znj. Jahjaga tha se “në takimin e përbashkët me presidentët e shteteve, pjesëmarrës në Samitin e Varshavës, jo vetëm kam shtruar kërkesën dhe nevojën për zgjerimin dhe intensifikimin e procesit për njohjen e Kosovës, por kjo ka qenë kërkesë specifike edhe në takimet bilaterale që kam pasur me secilin president dhe nga secili prej tyre kam marrë premtime se do ta kemi mbështetjen e tyre të fuqishme drejt procesit të lobimit për njohjen e shtetësisë së Kosovës”.
Ajo bëri të ditur se po ashtu, gjatë këtyre takimeve, pati ftesa të shumta nga presidentët për të zhvilluar vizita në shtetet e tyre, duke përfshirë Kroacinë, Slloveninë, Gjermaninë, Hungarinë e Lituaninë.
“Besoj se me vizitat në këto shtete mund të zgjerojmë lobimin tonë për njohjen e shtetësisë së Kosovës”, tha ajo.
Presidentja Jahjaga tha se temë e takimeve ka qënë edhe çështja e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. “Qëndrimi im ka qenë që ky është një dialog teknik, në të cilin diskutohen çështje teknike që lehtësojnë jetën e qytetarëve, si të Republikës së Kosovës, po ashtu edhe të Republikës së Serbisë dhe çdo çështje tjetër që hapet, sa i përket riorganizimit të brendshëm apo çështjen e statusit, këto janë çështje që kanë vijën e kuqe. Unë disa herë e kam përmendur çështjen e vijës së kuqe dhe këtu nuk do të ketë asnjë diskutim”, theksoi presidentja Jahjaga.
“Unë u ktheva sot nga një udhëtim jashtëzakonisht i suksesshëm. Kthehem me porosi shumë të mira për institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Sepse pjesëmarrja për herë të parë e imja dhe e Kosovës në një Samit të tillë, në nivel të njëjtë me të gjithë presidentët e Evropës Qendrore dhe Juglindore është një arritje shumë e madhe e Kosovës, e institucioneve të saj dhe veçanërisht e qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.
Ajo bëri të ditur se “ishte hera e parë që Kosova mori pjesë në diskutime, jo vetëm për çështjet e brendshme të saj, por në çështjet e përgjithshme që janë shqetësim i të gjitha shteteve të Evropës. Unë personalisht e konsideroj këtë si një arritje shumë të madhe, që Kosova më në fund po prezantohet si shtet i barabartë me të gjitha shtetet dhe mund të japë kontributin e saj në një nivel të barabartë edhe me presidentët e vendeve të tjera të Evropës”, shtoi presidentja kosovare.
Ajo bëri të ditur se kishte pasur një numër takimesh biletarale me presidentët e Hungarisë, Sllovenisë, Kroacisë, Gjermanisë, Austrisë, Maqedonisë, Bullgarisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe disa presidentë të tjerë.
“Në këto takime bilaterale kemi diskutuar çështje të interesit të përbashkët si në fushën politike, po ashtu edhe në fushat e zhvillimit ekonomik. Nga shumica e presidentëve kam kërkuar që të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në agjendën e integrimit evropian dhe kam marrë edhe konfirmimin e tyre pozitiv, që Kosova duhet të punojë fuqimisht, ashtu siç ka bërë deri tash, në arritjen e parakushteve sa i përket agjendës evropiane dhe integrimeve evropiane”, tha Jahjaga.
“Kishim një darkë të përbashkët me të gjithë presidentët, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i SHBA-së. Edhe aty në mënyrë shumë të hapur, në mënyrë të barabartë me të gjithë presidentët e tjerë, diskutuam për çështje që janë të interesit vital për Evropën në tërësi dhe sidomos për shtetet e Evropës Juglindore që janë në korridorin më të rëndësishëm në mes të Lindjes dhe Perëndimit si dhe për sukseset dhe arritjet e këtyre shteteve, përfshirë edhe Kosovën”, tha presidentja Jahjaga, duke përfunduar se “është dhënë mesazhi se do të jetë e hapur porta për të gjitha shtetet, duke përfshirë Kosovën, drejt integrimit në BE, NATO dhe OKB”.
Sunday, 29 May 2011 17:54