Prishtinë – Presj sot bota është më paqësore, deklaroi Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas vrasjes së Osama Bin Laden.
“Prej sot bota është më paqësore”, theksoi ajo dhe shton se “kryeterroristi Osama Bin Laden mori dënimin e merituar pas gjithë vrasjeve, vuajtjeve, dhimbjeve dhe dëmeve që i shkaktoi botës”.
“Drejtësia u vu në vend. E mira fitoi kundër të keqes. Njerëzit do të jetojnë në paqe, në përparim, të patrembur dhe të parrezikuar”, tha Presidentja e Kosovës në deklaratën e njoftuar sot nga zyra e saj.
Ajo shtoi se “lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar është në funksion të paqes, të prosperitetit, të sigurisë për të gjithë, në mbrojtje të jetës dhe të dinjitetit të njeriut”.
“Republika e Kosovës, populli i saj e mirëpritën lajmin për eliminimin e kryeterroristit të botës, duke qenë të ndërgjegjshëm dhe të falenderueshëm për intervenimin e NATO-s në Kosovë, disa vjet më parë, kur u ndal lufta dhe spastrimi etnik, u vendos paqja dhe stabiliteti në rajon”, thekson Presidentja Jahjaga.
“Kosova në luftën kundër terrorizmit është përkrah SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, për një botë më të mirë, në të cilën njerëzit e të gjitha besimeve, të gjitha racave, të gjitha kombeve bashkërisht do të ndërtojnë të ardhmen prosperuese”, përfundon deklarata e Presidentes kosovare.
Monday, 02 May 2011 12:59