Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 08:57

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Republikës së Malit të Zi, Milan Rocen, në një takim dje në Prishtinë, theksuan nevojën e forcimit të marrëdhënieve dhe përkrahjes reciproke në proceset integruese.

Sipas zyrës së shtypit të MPJ-së kosovare, dy ministrat biseduan për tema të ndryshme me interes të të dyja shteteve, me theks të veçantë forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe për proceset e përbashkëta integruese të dy vendeve fqinje.

Ministri Hoxhaj falënderoi homologun malazez për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi, vetëm një ditë pas shtrimit të pyetjes për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Hoxhaj tha se kjo vizitë e ministrit Rocen në Kosovë ndodhi në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën, kohë kur bashkëpunimi rajonal dhe integrimet evropiane në Kosovë, në Mal të Zi dhe rajon janë prioritet për të gjitha vendet.

Ministri Hoxhaj bëri të ditur se gjatë takimit me ministrin Rocen është biseduar për përkushtimin e Republikës së Kosovës që komuniteti malazez në Kosovë të përcaktohet në Kushtetutë.

“Me ndryshmet kushtetuese që do të ndodhin gjatë vitit 2011-2012, komuniteti malazez do të jetë komunitet i njohur përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ai po ashtu bëri të ditur se me ministrin Rocen është biseduar për lidhjen e marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve në fushën e riatdhesimit të të shpërngulurve, të cilat pritet të nënshkruhen në fund të muajit qershor.

“Biseduam edhe për një marrëveshje bazike për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar në Çokorr, që do të mundësonte lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe ideve. Po ashtu, kemi biseduar për çështjen e lëvizjes së qytetarëve vetëm me letërnjoftim në mes të dy vendeve tona, që do ta forconte shumë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe do ta ndihmonte bashkëpunimin”, bëri të ditur Ministri i Jashtëm i Kosovës.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Milan Rocen, tha se njohja e Republikës së Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk ka qenë vendim i drejtuar kundër askujt, por ka qenë në interesin më të mirë të Malit të Zi dhe në interes të Kosovës e popullit të saj.

Ai ka shprehur vullnetin e Malit të Zi për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me Kosovën, në shërbim të integrimeve të përbashkëta euroatlantike.

“Jemi marrë vesh për lidhjen e një varg marrëveshjeve që do të pasojnë, pasi ne dëshirojmë që të forcojmë edhe bazën juridike të bashkëpunimit tonë. Muajin e ardhshëm Ministri Hoxhaj do të marrë pjesë në kartën e Adriatikut në Mal të Zi dhe shpresoj se deri atëherë do të nënshkruajmë disa marrëveshje bilaterale për riatdhesimin, regjistrimin e të shpërngulurve në regjistrin civil të Kosovës, marrëveshjen për krijimin e kushteve për kthimin e të shpërngulurve dhe disa marrëveshje në fushën ekonomike, siç është marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë, për zhvillimin e turizmit dhe një varg marrëveshjesh të tjera”, tha ministri i Jashtëm malazez.

Lidhur me shkëmbimin e ambasadorëve ndërmjet dy vendeve, Ministri Rocen ka thënë se mosrealizimi i kësaj çështje nuk ka ndikuar fare në dinamikën e raporteve mes dy shteteve dhe se kjo nuk ka të bëjë aspak me çështje politike, por me vështirësi ekonomike dhe buxhetore.

“Ne planifikojmë që vitin e ardhshëm të hapim Ambasadën në Prishtinë, ashtu siç Kosova do ta ketë Ambasadën në Podgoricë”, tha Rocen.

Rreth çështjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, dy ministrat kanë bërë të ditur se kjo çështje pritet të adresohet deri në fund të këtij viti, në mes të komisioneve shtetërore të dy vendeve.

Lidhur me idetë për ndarjen e Kosovës, Rocen ka thënë se ka kaluar koha e ndarjeve dhe koha e vizatimit të kufijve të ri në hapësirat e Ballkanit.