Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 17:59

Prishtinë – Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Francës, Alain Juppé, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në një vizitë zyrtare në Francë.

MPJ kosovare bën të ditur se në ditën e parë, ministri Hoxhaj ka takuar Jean – David Lévitte, këshilltar për Diplomaci i Presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy. Në këtë takim është biseduar për progresin e shtetndërtimit të brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe për perspektivën evropiane.

Në emër të Presidentit Sarkozy, Lévitte ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë në agjendën e Francës. Ai ka shtuar se Franca përkrah progresin dhe reformat, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai po ashtu ka shprehur përkrahjen e Francës për shtimin dhe përmbylljen e procesit të njohjeve të shtetit të Kosovës, si dhe për realizimin e aspiratave për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Ministri Hoxhaj ka informuar z. Lévitte për reformat e brendshme, për sundimin e ligjit, për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe për punën që po bëjnë autoritetet kosovare për të përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave. Në këtë kontekst, Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e Francës për procesin e liberalizimit të vizave, për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe për përmbylljen e procesit të njohjeve.

Të martën, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, para shumë diplomatëve, profesorëve dhe akademikëve ka mbajtur një ligjëratë me titullin “Shtetndërtimi dhe perspektiva Evropiane e Kosovës “, në njërin nga Institutet më prestigjioze në Evropë – Institute Français des Relations Internationales (IFRI).

Duke iu referuar shtetndërtimit në Kosovë, Ministri Hoxhaj ka thënë se vullneti i popullit të Kosovës për të ndërtuar shtetin e tyre, ka shkuar paralelisht me vullnetin e shteteve të fuqishme për të parandaluar dhunën në Kosovë. Ai po ashtu ka folur për perspektivën evropiane dhe ka thënë se Kosova nuk mund të mbetet vendi i vetëm në Ballkan, që nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë.