Prishtinë-Të shqetësuar me hyrjen në fuqi të rregullores për qasjen e mediave në Kuvendin e Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) u kanë bërë thirrje të gjithë anëtarëve gazetarë dhe mediave të vendit që të bojkotojnë punën e Parlamentit të Kosovës. Bojkoti hyn në fuqi duke filluar nga dita e sotme, 21 dhjetor dhe mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër.
Rregullorja e re për mediat kufizon lirinë e lëvizjes gazetarëve në disa nga hapësirat e ndërtesës së këtij kuvendi gjatë mbajtjes së seancave parlamentare.
Përfaqësuesit e mediave vendosen në këndin për gazetarë dhe nuk mund të lëvizin, pa leje, nëpër ndërtesën e Kuvendit.
Seanca për fotografim dhe xhirim të pamjeve zgjat pesë minuta. Një punonjës i Zyrës për media dhe marrëdhënie me publikun do të qëndrojë në këndin e gazetarëve si ndërlidhës ndërmjet përfaqësuesve të mediave dhe deputetëve.
Siç raporton”Express”, AGPK përkujton se kjo rregullore është miratuar në Kryesinë e Kuvendit, nga të gjitha subjektet politike parlamentare, dhe si e tillë tregon se ato nuk janë të interesuara për të krijuar kushte për punën e gazetarëve.
Me këtë rast AGPK shpreh gatishmërinë që me Kryesinë e Kuvendit ta diskutojë qasjen e gazetarëve në ambientet e parlamentit, për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme për gazetarët.
AGPK në konsultim më anëtarët gazetarë në të gjitha mediat e Kosovës, vlerëson se rregullorja është diskriminuese dhe pengon punën e gazetarëve. Si e tillë ajo duhet të shfuqizohet dhe të hidhet në shqyrtim.
AGPK në të gjitha takimet që ka pasur me përfaqësues të Kuvendit të Kosovës dhe me institucione tjera vendëse e ndërkombëtare, ka shprehur kundërshtimin për këtë rregullore.
Përmbajtja e këtij dokumenti është hartuar pa e marrë parasysh vullnetin e gazetarëve dhe kontributet e tyre në disa punëtori gjatë hartimit të rregullores.
Ndërsa në arsyetimin e tij, kryeparlamentari Jakup Krasniqi edhe në seancën e sotme tha se kjo është praktikë e vendeve demokratike.
Ai madje sot ka qenë i prerë në vendimin e tij dhe kryesisë së Kuvendit, po ashtu nuk ka treguar shenja se do të ketë ndonjë ndryshim.
Opozita e ka kundërshtuar një rregullore të tillë pasi që sipas tyre kjo mënyrë e re e ndalesës për gazetarët nuk është në frymën demokratike të Kuvendit të Kosovës.
Wednesday, 21 December 2011 20:39