Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 14:53

Prishtinë – Zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, priti sot në takim ministrin e Drejtësisë të Republikës së Turqisë, Ahmet Kahraman, ndërsa për nesër paralajmërohet firmosja e tri marrëveshjeve.

Sipas burimeve zyrtare nga ministria kosovare e Drejtësisë, në këtë takim është biseduar për finalizimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, ku të dy ministrat janë pajtuar që nesër të nënshkruajnë tri marrëveshje: marrëveshjen për ekstradim, transferim të personave të dënuar dhe bashkëpunim gjyqësor në çështje penale.

Pas këtij takimi, të dy ministrat thanë së Kosova dhe Turqia kanë bashkëpunim të mirë jo vetëm në fushën juridike, por edhe në fushën politike, ekonomike etj.

Ministri Kuçi dhe ministri Kahraman, janë pajtuar që Republika e Turqisë të mbështesë Republikën e Kosovës, në krijimin e Akademisë së Drejtësisë, në administrimin e burgjeve, në veçanti burgjeve të tipit të hapur dhe në kompjuterizimin e gjykatave dhe prokurorive të Kosovës.

Po ashtu, u tha së në bazë të nevojës, Kosova dhe Turqia do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi edhe në çështje civile.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi pret sot Ahmet Kahraman, Ministër i Drejtësisë së Republikës së Turqisë.