Lajme Shqip Wednesday, 09 May 2012 12:30

Prishtinë – Kosova feston sot Ditën e Evropës me shumë aktivitete e mesazhe që shprehin aspiratën e integrimeve euroatlantike të shtetit më të ri evropian, ndërkohë që këtë pranverë pret udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Dita e Evropës, 9 Maji, është festë zyrtare në Republikën e Kosovës, e përcaktuar me një nga ligjet e para të miratuara në Kuvend pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008, të njohur deri tash nga 90 vende të botës anëtare të OKB-së.

Mes aktiviteteve të sotme, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, së bashku me Ministrinë e Integrimeve Evropiane, kanë organizuar panairin “Rruga e Ditës së Evropës” në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Ndërsa, si pjesë e programit të Ditës së Evropës, Përfaqësuesi Special i BE-së/Udhëheqësi i Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar,  në prag të festës prezantoi librin e ri “Të gjithë bashkë drejt Evropës!” fëmijëve të shkollës fillore “Hasan Prishtina” në kryeqytetin e Kosovës. Libri do t’u ndihmojë fëmijëve te shkollave fillore në tërë Kosovën që të mësojnë rreth BE-së, banorëve dhe kulturës së saj, e në të njëjtën kohë do t’u ndihmojë në mësimin e gjuhës angleze, në të cilën është shkruar.

Projekti Perspektiva e BE-së në Kosovë ka nxjerrë dy libra, “Të nisemi për në Evropë!” për klasën e 9-të dhe “Të gjithë bashkë drejt Evropës!” për fëmijët më të vegjël, të cilët  do të shpërndahen në të gjitha shkollat fillore në Kosovë gjatë verës së vitit 2012.

Sonte, me rastin e Ditës së Evropës, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, do të promovohet projekti “Të keqen munde me këngë”, një gërshetim këngësh dhe poezish kushtuar Lirisë dhe Kosovës. Pjesë e veprimtarive të organizuara për Ditën e Evropës është edhe shfaqja në Kinemanë ABC në Prishtinë e premierës së filmit “In the Land of Blood and Honey ” (Në Tokën e Gjakut dhe Mjaltit), me skenar dhe regji të Angelina Jolie, i bërë në bazë të luftës në Bosnjë.