Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 19:22

Prishtinë – Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku dhe komandanti gjenerallejtënant, Sylejman Selimi gjatë vizitës në shtabin qendror të NATO-s në Bruksel, sot zhvilluan takime me përfaqësues të lartë të Aleancës, ambasadorë e përfaqësues të vendeve partnere të NATO-s dhe KFOR-it, bën të ditur zyra e shtypit e FSK-së.

Ministri Çeku i raportoi zv/Sekretarit te Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorit Claudio Bisogniero arritjet e FSK-së si forcë multietnike dhe për zhvillimin drejt arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale. Ai shfaqi shpresën që FSK-ja, në fund të këtij viti, do të pranojë rekomandim pozitiv nga KFOR-i për arritjen e Kapaciteteve të Plota Operacionale.

Ministri dhe komandanti i FSK-së morën pjesë në drekën e organizuar nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në NATO. Ministri Çeku i shprehu falënderim ambasadorit të Shqipërisë në NATO, Artur Kuko, për mbështetjen nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë.

Ministri Çeku do të takoi edhe delegacionin Ushtarak të SHBA në NATO, për të diskutuar zhvillimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

“Këto ishin takime shumë frytdhënëse, në të cilat u shkëmbyen pikëpamje lidhur me të ardhmen e FSK-së”, deklaroi ministri Çeku, rreth vizitës në Bruksel.

“Unë dua të tërheq vëmendjen në rëndësinë e bashkëpunimit me NATO-n dhe KFOR-in dhe se Kosova i jep rëndësi të veçantë zhvillimit tonë profesional dhe progresit drejt integrimeve euroatlantike”, u shpreh ministri i FSK-së.