Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 14:51

Prishtinë – Ka filluar edicioni i parë i Festivalit të Kulturës Rome, Ashkali dhe Egjiptase në Kosovë.

Festivali ka për synim të festojë kulturën e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë dhe të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të tyre në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja, “Përkrahja e BE-së për Implementimin e Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë (EU SIMRAES)”, që implementohet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Edicioni i parë të këtij viti do të mbulojë tri qytete: Prishtinën, Prizrenin dhe Mitrovicën, duke ofruar një spektër të gjerë aktivitetesh argëtuese përmes shfaqjeve teatrale, ekspozitave të fotografive, filmave të shkurtër si dhe koncerteve, në periudhën 23 – 29 maj.

Së fundmi, Komisioni Evropian ka miratuar Kornizën e Strategjive Kombëtare për Integrimin e Romëve për periudhën deri më 2020.

Në Balkanin Perëndimor janë organizuar konfereca për adresimin dhe përmirësimin e përfshirjes të këtyre komuniteteve në shoqëri; konferenca në Kosovë është organizuar bashkërisht me institucionet e Kosovës dhe është mbajtur më 11 maj 2011.

Projekti EU SIMRAES është një iniciativë e financuar nga BE-ja, në vlerë prej 1 milion eurosh (IPA 2009).

Aktivitetet tjera të projektit përfshijnë aktivitete me mediat për fuqizimin e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, që do të mbulojnë problemet me të cilat ata përballen e për të shprehur më mirë brengat e tyre; si dhe përkrahjen në arsim përmes krijimit të 6 qendrave për studim, që ofrojnë asistencë parashkollore për fëmijët dhe prindërit e tyre, gjithashtu edhe bursa për nivelin e mesëm dhe universitar të arsimit.