Lajme Shqip Tuesday, 17 July 2012 18:05

Prishtinë – Bashkimi Evropian i dhuron pesë grante organizatave të shoqërisë civile për të drejta të njeriut dhe demokraci në Kosovë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë / Përfaqësuesi Special i BE-së ka shpallur fituesit e pesë granteve të reja për shoqëri civile të financuara nga Instrumenti Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (EIDHR).

“Këto grante, të cilat kanë vlerë prej 900,000 eurosh gjithsej, do të promovojnë të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë përmes projekteve që mbështesin riintegrimin e viktimave të dhunës në familje, dhënien e mundësisë së njerëzve me shikim të dëmtuar, luftimin e homofobisë, promovimin e të drejtave të personave me paaftësi dhe promovimin e barazisë gjinore”, bëri të ditur sot Zyra e BE në Kosovë.

Projektet do të implementohen nga OJQ-të kosovare si dhe rajonale/ndërkombëtare, siç janë: Reggio Terzo Mondo, Shoqata e të Verbërve të Kosovës, Legebitra, Qendra për Orientim Shoqëror dhe Qendra Kosovare për Studim Gjinor.

Përmes këtij instrumenti, BE-ja ka mbështetur 30 organizata shoqërore civile në adresimin e çështjeve të të drejtave të njeriut në Kosovë që nga viti 2007, atëherë kur programi për grante është lansuar për herë të parë në Kosovë. 

Skema e re e granteve EIDHR për Kosovë pritet të lansohet në gjysmën e parë të vitit 2013 përmes një thirrjeje për propozime. (LajmeShqip.com)