Prishtinë – 73 diploma nga Kosova u çertifikuan sot nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane (EUA) në kuadër të marrëveshjes, që u arrit në Dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
“Çertifikimi i sotëm i 73 diplomave të para universitare është i mirëpritur. Kjo mundëson që këta të rinj të shfrytëzojnë diplomat e tyre universitare për të vijuar studimet ose për të kërkuar punësim në Serbi, si në çdo vend tjetër në Evropë. Kjo përmirëson mënyrën e jetesës së qytetarëve, duke e sjellë kështu praktikën serbe më afër normave evropiane. Kjo plotëson dy prej objektivave për të cilat është zhvilluar dialogu, megjithëse në një mënyrë modeste”, tha Robert Cooper, i dërguari i BE-së për dialogun.
Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë bëhet e ditur se, “çertifikimi është bërë përmes një komisioni ekspertësh akademikë të EUA-së, të cilët kanë verifikuar që diplomat universitare janë dhënë me korrektësi nga institucionet e autorizuara dhe në përputhshmëri me praktikën më të mirë evropiane”.
Këto diploma të çertifikuara do të trajtohen në Serbi në të njëjtën mënyrë sikur diplomat e tjera të lëshuara jashtë Serbisë. Në fakt, kjo nënkupton se të diplomuarit, të cilët dëshirojnë të vijojnë më tutje programe edukative ose të kërkojnë punësim në administratë publike në Serbi mund t’i dorëzojnë diplomat e tyre, bashkë me çertifikatën e EUA-së në universitetin e tyre të zgjedhur ose institucionin përkatës.
Universiteti në fjalë pastaj do të japë një konfirmim për pranimin, më pas me këtë konfirmim, të diplomuarit ose mund të regjistrohen në programe akademike, ose të aplikojnë për një pozitë në administratë publike. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 June 2012 21:06