Prishtinë (PLOTESUAR 27 shkurt 12:00) Gjashtë pjesëtarët e dyshuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), të cilët u arrestuan të shtunën në Gj
ilan dhe akuzohen për ushtrim të padrejtë të presionit ndaj banorëve të Parteshit për mosnjohjen e institucioneve të Kosovës, kanë dalë para gjykatësit.
“Pas dëgjimit nga gjykatësi i procedurës paraprake mbrëmjen e djeshme, gjykatësi i EULEX-it urdhëroi vazhdimin e masës së paraburgimit për tridhjetë ditë për pesë të dyshuarit”, bën të ditur kumtesa e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.
****************************
Prishtinë- Policia e Kosovës njoftoi sot se ka ndaluar gjashtë persona të dyshuar se kanë kryer veprën penale “sulm ndaj rendit juridik të Kosovës”. 
Drejtoria për hetimin e krimeve të rënda të Policisë së Kosovës kohë më parë ka marrë informacione se, strukturat e organizuara ilegale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë janë duke kryer veprimtari kriminale në Kosovë.
Bazuar në këto informacione, Policia e Kosovës nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së Qarkut në Gjilan ka zhvilluar hetimet paraprake.
Policia kosovare njoftoi se sot në orët e para të mëngjesit janë ndaluar gjashtë persona të dyshuar. Gjithashtu gjatë këtij operacioni policor janë konfiskuar në cilësinë e provave materiale armë dhe sende, përfshirë kartela identifikuese të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe disa dokumente të tjera.
Ky operacion policor është realizuar nën mbikëqyrjen e Prokurorisë se Qarkut ne Gjilan dhe me autorizim të prokurorit, të dyshuarve i’u është shqiptuar masa e ndalimit policor.
Personat e ndaluar gjatë këtij operacioni janë: Z. Deniq, M. Dimitrieviq, T. Deniq, N. Trajkoviq, D. Stojkoviq. G. Matrapazoviq.
Gjithashtu gjatë këtij operacioni policor janë konfiskuar në cilësi të provave materiale armë dhe gjësendet të tjera: 1. pushkë e llojit M48, 1. pushkë gjuetie, 1 pushkë ajrore, armë revole TT 762 m, 473 fishek 7.62 m , dy uniforma të policisë Serbe,katër Lap-Topë, dy shtëpiza të kompjuterëve, pesë kartela identifikuese të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 February 2012 17:25