Lajme Shqip Monday, 14 May 2012 12:29

Prishtinë – Objekti i Institutit të Onkologjisë të QKUK-së, është i sigurt sepse nuk ka vend për dyshim rreth depërtimit të rrezeve jonizuese jashtë tij.

Janë hequr dyshimet rreth depërtimit të rrezeve jonizuese jashtë objektit të Institutit të Onkologjisë. Hetimet e Eulex-it për këtë çështje kanë përfunduar dhe objekti është i sigurt, konfirmon ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Sipas tij, brenda këtij muaji do të fillojë funksionimi i radio-terapisë.

“Ne jemi ndoshta një javë apo dy javë para fillimit të zbatimit më në fund të trajtimit të radioterapeutik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Unë jam informuar gojarisht nga prokurorja e rastit, e cila i ka hequr të gjitha dilemat sa i përket  sigurisë së objektit dhe rrezikut eventual të shëndetit publik pra në atë aspekt jemi plotësisht të qartë”

 Zëdhënësi i QKU-së, Shpend Fazliu bëri të ditur se rreth 100 pacientë i nënshtrohen kimio-terapisë vetëm brenda një dite. Sipas tij, një pjesë e tyre do të kenë nevojë edhe për radio-terapinë. 

Një ekip i mjekëve kosovarë do të vazhdojnë trajnimin për onkologji në Hungari. Pas kthimit të tyre në QKUK, pritet që pacientët të kryejnë rrezatimin në Kosovë. (LajmeShqip.com)