Prishtinë-Ministria e arsimit ka marrë vendim që çdo vit të ndahet çmimi “Shaban Jashari”, për mësuesin e dalluar. Sivjet ky çmim u nda për herë të parë, për mësuesen nga Gjakova, Shkëndije Nagavci-Bokshi. Ajo u ndje krenare dhe e nderuar për çmimin me emrin “Shaban Jashari”.
Në ceremoninë qendrore për ditën e mësuesit u ndanë edhe 12 mirënjohje të tjera për mësimdhënës të arsimit para universitar, për kontributin që ata kanë dhënë në fushën e arsimit.
Ministri i arsimit, Ramë Buja tha se puna e mësuesit është një mision i shenjtë. Ai tha se këtë ditë e bën të veçantë shënimi i 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe manifestimi i Epopesë së UÇK-së.
“Kemi pasur vështirësi ngamë të ndryshmet, që nga rëniet heroike ët mësuesve tanë. Një rënie heroike e një mësuesi tonë të madh, ishte edhe rënia e të nderuarit Shaban Jashari. Kjo na e bën akoma më të veçantë këtë ditë, me që koincidon shumë fuqishëm me ditët e Epopesë së lavdishme të UÇK-së. Më lejoni që nga zemra t’ju uroj të gjithë mësuesit e gjithë gjeografisë shqiptare.”
Mësimëdhënësit i ka uruar sot edhe kryeministri Hashim Thaçi, nga mbledhja e qeverisë. Dita e mësuesit po shënohet në Kosovë edhe me aktivitet tjera. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa dhe drejtori i Drejtorisë për Arsim, Halim Halimi, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, në Prishtinë, u takuan me arsimtarë dhe veteranë të arsimit.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka adresuar një varg kritikash ndaj Ministrisë së Arsimit. Udhëheqësi i Departamentit për Arsim, Jonuz Salihaj, tha se situata aktuale në arsim është dëshpëruese.
Ndërkohë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, janë zotuar se do të bëjnë edhe më shumë për ngritjen e cilësisë së edukimit në Kosovë, për ta bërë atë konkurrent me standardet më të larta të nivelit ndërkombëtar. Është premtuar se do të ketë vendime të tjera për rritjen e mirëqenies së punonjësve të arsimit në të gjitha nivelet. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 March 2012 19:00