Prishtinë – Sistemi financiar, veçmas ai bankar, është stabël dhe paraqet burimin më të rëndësishëm të financimit dhe stabilitetit të ekonomisë.
Megjithatë papunësia është problem serioz dhe sfidë për të ardhmen.
Ekonomia e Kosovës edhe sivjet nuk është rrezikuar drejtpërdrejt nga kriza që ka prekur disa vende të Eurozonës. Por vështirësitë dhe pasiguritë që aktualisht po mbretërojnë në ekonominë e Eurozonës paraqesin shqetësim edhe për ekonominë e vogël dhe të hapur të Kosovës, për shkak të reflektimeve të mundshme negative në dërgesat e mërgimtarëve, eksportet dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta. Megjithatë, ekonomia vendore vazhdon të shënojë normën më të lartë të rritjes në rajon, tha guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri.
Përderisa vendet e rajonit sivjet kanë shënuar normë të rritjes deri në 2.8 përqind, Kosova këtë vit ka arritur normë prej 5 përqind, tha Arben Mustafa, Drejtor i Departamentit për Stabilitet Financiar dhe Analiza Ekonomike. Ai theksoi se pavarësisht krizave ekonomike botërore, në Kosovë është ruajtur stabiliteti financiar.
Raporti përfshin të dhënat financiare për periudhën janar qershor të këtij viti për ekonominë vendore dhe atë ndërkombëtare. Sipas raportit, Produkti i Brendshëm Bruto gjatë vitit 2011 pritet të tejkalojë shumën prej 4.7 miliardë euro, me pjesëmarrje të lartë të konsumit dhe investimeve në vend. Struktura e përgjithshme e konsumit dominohet nga konsumi i sektorit privat, ndërsa pjesëmarrja e konsumit publik ka shënuar rënie.
Kreditë për ekonomitë familjare, deri në qershor të vitit 2011 shënuan rritje prej 16.9 përqind. Po ashtu, dërgesat e emigrantëve deri në qershor të vitit 2011 arritën vlerën prej 234.2 milion euro dhe shënuan rritje prej 1.2 përqind, ndërkaq investimet e huaja të drejtpërdrejta gjatë periudhës gjashtëmujore arritën në 157 milionë euro, nga 103 milionë sa ishin në periudhën paraparake.
Monday, 19 December 2011 16:40