Lajme Shqip Sunday, 24 June 2012 18:28

Prishtinë – Republika e Kosovës për herë të parë do të ketë mbrëmjen e vetë në edicionin e 46-të të Festivalit prestigjioz të Jazz-it, “Montreux Jazz Festival” të Zvicrës.
Pas një pune të Ministrisë kosovare të Kulturës dhe Ambasadës së Kosovës në Zvicër, në marrëveshje me organizatën “Montreux Jazz 2 Foundation for Creative and Cultural Exchange” është siguruar që këtë vit, Kosova të jetë shteti që do të ketë mbrëmjen e vetë në këtë festival, në kuadër të netëve performuese “Eastern Delights” që mbahen në kuadër të Festivalit.

Po ashtu me një pavion të veçantë do të prezantohet kultura dhe trashëgimia e Kosovës. Kosova do të përfaqësohet në këtë eveniment prestigjioz nga grupet ODA, Jericho, dhe Etno Classic dhe mbrëmja e Kosovës, e mbiquajtur “Kosovo Rocks” do të jetë më datën 3 Korrik. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi vlerëson se pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje përben një moment shumë të rëndësishëm për promovimin e artit dhe artistëve kosovarë.

Edicioni i parë i “Montreux Jazz Festival” është mbajtur në vitin 1967 dhe prej atëherë, ky eveniment ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore, ku kanë përformuar artistët më të njohur botëror si Ray Charles, Miles Davis, Eric Clapton, BB King, Deep Purple, Santana, Sting e shumë të tjerë.

Edhe në këtë edicion pritet të ketë emra të njohur të muzikës botërore si Tony Bennet, Bob Dylan, Alanis Morissette, Anastacia, Pat Metheny, Jessie J, etj. (LajmeShqip.com)