Lajme Shqip Tuesday, 06 October 2015 10:52

Suksesi i “betejës së vështirë politike” të Beogradit kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, siç ka paralajmëruar ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, këtë javë do ta ketë kontrollin e parë. Më 7 shtator në Paris, fillon seanca e 197 e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, ku në agjendë paraprake është edhe kërkesa që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate, që në emër të Prishtinës e ka paraqitur Shqipëria, shkruan “Danas”. 

Seanca do të fillojë me Byronë e Këshillit Ekzekutiv, që do të shqyrtojë gjatë të mërkurës axhendën paraprake, kurse vendimi për temat përfundimtare për diskutim do të bëhet i ditur gjatë seancës së parë plenare të mbajtur më 12 tetor, një ditë para vazhdimit të planifikuar të dialogut politik në Bruksel , nga i cili Beogradi kërkon të hap negociatat për statusin dhe pasuritë e kishës ortodokse serbe në Kosovë, transmeton lajmi.net.

“Serbia ka kohë që këmbëngul se çështjet politike nuk duhen diskutuar në UNESCO por kryesisht në Bruksel, por temat komplekse mbi statusin dhe trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë, sigurisht se janë politike dhe assesi vetëm kulturore. Me sigurimin e mbrojtjes fizike në një mjedis armiqësor, nëpërmjet rregullimit ligjor të statusit – assesi nuk mund të jetë “pronë e shtetit të Kosovës” siç parashihej në projektligjin për trashëgiminë kulturore për çështje pronësore, sepse ekzistojnë indikacione se mund të vijë në pikëpyetje çështja e pronësisë së kishave dhe manastireve. E gjithë kjo duhet të diskutohet gjatë negociatave në Bruksel”, ka deklaruar Darko Tanaskoviq, ambasador i Serbisë në UNESCO.