Teksti i propozim-amendamenteve kushtetuese, të cilat mundësojnë zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Kosovës iu dorëzua të mërkurën kryetarit të Kuvendit të Republikës, Jakup Krasniqi.
Krasniqi priti në një takim kryetarin e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, i cili shoqërohej nga nënkryetarja e këtij Komisioni, Vjosa Osmani.
Komisioni për Ndryshime Kushtetuese i Kuvendit të Kosovës nisi punën pranverën e vitit të kaluar, kur mbajti mbledhjen konstituive më 29 prill. Më 20 janar të këtij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi kërkesën e Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës për mandat shtesë, për përcaktimin e kompetencave të Presidentit të Republikës së Kosovës.
Komisioni të hënën deklaroi se ka përfunduar punën e tij, duke paralajmëruar se presidenti i ardhshëm i Kosovës do të ketë kompetenca më të mëdha. Deri tani, Presidentin e Kosovës e zgjidhte Kuvendi i Kosovës.
Wednesday, 21 March 2012 15:32