Kosova e ka nisur kërkesën për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), nëpërmjet zyrës së UNMIK-ut.
Kërkesa e Kosovës nuk është nënshkruar nga presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga, por nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.
Krejt ky proces, sipas burimeve të gazetës brenda MPJ-së, nuk është dashur të zhvillohej kësisoj.
Burimi i ka thënë gazetës se me gjithë faktin që Ministria e Punëve të Jashtme ka rekomanduar që të mos aplikohet në UNESCO përmes ndonjë pale të tretë, por drejtpërdrejt siç ka bërë çdo vend dhe Palestina së fundmi, rekomandimi nuk është marrë parasysh.
“Petrit Selimi ia ka dorëzuar kërkesën e aplikimit shefit të UNMIK-ut, Farid Zarif, i cili e ka nisur në UNESCO përmes Sekretariatit të OKB-së, dhe për këtë arsye ende sot një javë pas aplikimit në UNESCO ata nuk e kanë pranuar kërkesën e Kosovës, sepse është diku nëpër korridoret e OKB-së në New York”, ka thënë ky burim.
Por zyra për informim e UNMIK-ut nuk e ka komentuar situatën. Shpend Bërbatovci, zyrtar për informim në misionin e OKB-së në Kosovë, ka thënë se për këtë çështje duhet të përgjigjet vetë UNESCO, shkruan Koha Ditore.
Saturday, 25 July 2015 08:06