Prishtinë – Autostrada në drejtim të Shkupit është prioritet dhe orientimi është që të ndërtohet me buxhetin e Kosovës, ka konfirmuar sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, në raportimin përpara Komisionit të Kuvendit për Infrastrukturë.
Në raportimin përpara anëtarëve të Komisionit, ministri Mujota, nga anëtari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, u pyet se pse Autostrada në drejtim të Shkupit është përcaktuar si prioritet, e jo ndonjë projekt tjetër.
Ministri Mujota u përgjigj se kjo autostradë do ta lidhë Kosovën me të gjithë rajonin dhe ka arsyeshmëri ekonomike. Ai konfirmoi se orientimi është që autostrada të ndërtohet me mjetet nga buxheti.
“Ministria e Infrastrukturës është e gatshme që brenda këtij viti të shpallë shprehjen e interesit. Duhet të jemi të kujdesshëm që t’i ruajmë të gjitha raportet edhe me FMN. Orientimi është që të bëhet me buxhetin tonë, me mundësitë tona dhe të shtojmë më pas ndonjë buxhet tjetër, qoftë kredi apo formë tjetër të investimit”, tha ministri kosovar i infrastrukturës.
Ministri Mujota njëherit njoftoi se 38 kilometrat e para të autostradës Morinë Merdare do të përurohen gjatë muajit nëntor.
Mujota njoftoi se në plan janë edhe zgjerimi i rrugës në drejtim të Gjilanit, përkatësisht Bujanocit, zgjerimi i rrugës në drejtim të Podujevës dhe ndërtimi i rrugës që e lidh Deçanin me Plavën. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 October 2011 15:38