Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 19:30

Prishtinë-Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani shpreh bindje se ligji për sigurim shëndetësor do të fuqizohet në mars të këtij viti, sipas të cilit, qytetarët do të paguajnë nga 4 deri në 7 euro për anëtarë të familjes.

Muaji tetor i vitit të shkuar, është theksuar nga ministri i shëndetësisë, Ferid Agani si afat kohor kur projektligji për shëndetësi dhe ai për sigurime shëndetësore do të procedohen në Kuvend. Meqë kështu nuk ndodhi, ministri Agani thotë se këto dy ligje do të fuqizohen në mars të këtij viti.

“Unë pres që gjatë muajit janar të miratohen dy projekt-ligjet në Qeverinë e Kosovës dhe të procedohen për në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që këto projekt ligje të miratohen në Kuvendin e Kosovës, gjatë muajit shkurt ose në muajin mars”-thotë Agani.

Ndonëse këto projektligje janë cilësuar si reformë për sistemin shëndetësor, opozita dhe federata sindikale e shëndetësisë, reagoi disa herë për mënyrën e përgatitjes së tyre.

Kreu i FSSHK-së, Blerim Syla ngriti zërin për mënyrën e financimit të ligjit për sigurim shëndetësor. Megjithatë, ai shpreh habi nëse këto ligje do të mund të procedohen në Kuvend për shkak të kostos së lartë financiare që kanë.

Ministri Agani shpreson se Qeveria me rishikimin e buxhetit, do të mbështes Ministrinë e Shëndetësisë me fonde shtesë, dhe kjo do të shërbej për sigurimin shëndetësor të atyre që përfshihen në skemën sociale.

Një fond tjetër do të nis të grumbullohet nga korriku dhe kontributet e qytetarëve, do te jenë sipas kësaj skeme; deri në katër anëtarë të familjes – vlera për secilin do të jetë 6 euro; katër deri në shtatë anëtarë, do të paguhen nga 5 euro derisa për familjet mbi 7 anëtarëshe, kontributi për anëtarë do të jetë 4 euro. (LajmeShqip.com)