Prishtinë – (E plotësuar) Kryeministri Hashim Thaçi në një konferencë të jashtëzakonshme për media, e ku e ka lexuar fjalimin e paraparë për deputetët e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet të jetë të qetë dhe të sigurt se dialogu që po zhvillohet me Serbinë nuk do të sjell kurrfarë pasojash për vendin.
“Ka pasur zëra injorantë që kanë përmendur Republika Srpskan, Status Special apo Autonomi për Veriun. Unë iu siguroj se projekte të tilla janë vetëm në mendjet e mykura të pasuesve të Slobodan Milosevicit. Projekte të tilla kurrë nuk do të zbatohen”, ka thënë Thaçi para gazetarëve.
“Kurrë në Kosovë nuk do të ketë Republika Srpska, kurrë s’do të ketë autonomi, kurrë s’do të ketë status special…”, ka shtuar ai.
Njëkohësisht, Kryeministri ka thënë se asociacioni i komunave serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
“Kjo s’do të ndodh kurrë”.
Ai ka shpjeguar rrjedhën e deritashme të dialogut me Serbinë, duke përmendur marrëveshjet e arriturat dhe njëkohësisht përfitimet e vendit nga ky dialog.
“Nëse marrëveshja në Rambouillet solli lirinë për Kosovën, nëse negociatat e Vjenës sollën pavarësinë, dialogu i Brukselit do ta normalizojë përfundimisht shtetin tonë, Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
Thaçi: Vetëvendosje dëshiron mjegull
Kryeministri Hashim Thaçi, në konferencën me gazetarë, ka thënë se përformaca e sotshme e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën ai e ka quajtur cirk, ka pasur për qëllimi hutimin e qytetarëve të Kosovës.
“Qëllimi ishte që t’iu pamundësohet qytetarëve e vërteta për dialogun me Serbinë dhe tendenca për të krijuar mjegull”, ka thënë Kryeministri.
“Transparencën dhe të vërtetën nuk mund ta ndalë askush. Ne do ta themi të vërtetën sepse nuk po fshehim asgjë. Ne po e respektojmë Kushtetutën e Kosovës dhe Pakon e Ahtisaarit”, ka shtuar ai.
Por, sipas tij, ky subjekt nuk do të mund t’i arrijë këto qëllime.
Thaçi: Kuvendi nuk mund të shndërrohet në cirk
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka zgjedhur konferencën për media për të njoftuar për rundin e fundit të dialogut politik me Serbinë.
Ai ka thënë se e ka zgjedhur këtë mënyrë raportimi, sipas tij, “në pamundësi të raportimit në Kuvendin e Kosovës”.
Thaçi ka thënë se deputetët janë “privuar” nga kjo e drejtë për informim dhe se nuk do të lejohet që Kuvendi të shndërrohet në cirk, edhe pse respektohet mendimi ndryshe dhe fjala e lirë.
Ai ka thënë se dialogu është e vetmja mënyrë për ta përmbyllur kapitullin e të kaluarës, edhe pse nuk do të harrohet, dhe fillimit të një kapitullit të ri të bashkëpunimit.(GE/LajmeShqip.com)
Kryeministri Thaçi, sipas rendit të ditës, do të duhej të raportonte para Kuvendit për takimin e tij të fundit me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq.
Në pankartën e deputetëve të Vetëvendosjes ishte e vizatuar edhe harta e Kosovës, kurse veriu i saj ishte vendosur nën ngjyrën e kuqe.
Vetëvendosje ka akuzuar në vazhdimësi Thaçin se përmes dialogut me Serbinë po e orienton veriun kah autonomia apo një status special.
Kryeministri Thaçi filloi fjalimin e tij, por me të parë deputetët e Vetëvendosjes me pankartën para foltores, u ul dhe kërkoi që seanca të vazhdoj pasi të krijohen kushtet.
Drejtuesi i seancës, Sabri Hamiti kërkoi që seanca merr një pauzë prej 15 minutave.(K.V/LajmeShqip.com)
Thursday, 28 February 2013 11:46