Lajme Shqip Wednesday, 11 January 2012 09:30

Prishtinë – Maqedonia dhe Kosova nuk kanë asnjë çështje të hapur mes tyre, por duhet të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat, përfshirë atë të ekonomisë dhe të infrastrukturës, tha sot në Prishtinë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanovski, i pritur në takim nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kryetari Veljanovski tha se kjo është vizita e tij e parë në Republikën e Kosovës dhe i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, si shumë të mira. Veljanovski tha se është në interes të të gjitha vendeve të Ballkanit përshpejtimi i procesit të integrimit në strukturat euroatlantike dhe se është i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet tyre.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë u shpreh se vendi i tij mund të ndihmojë procesin e integrimeve evropiane duke bartur gjithë përvojat tek institucionet e Kosovës.

Sipas njoftimit, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duke i vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si shumë të mira tha se ato janë edhe në interes të stabilizimit të rajonit. Jahjaga tha se bashkëpunimi i gjithanshëm dhe veçanërisht bashkëpunimi ekonomik ndihmon të dyja vendet dhe është në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Ajo tha se Parlamentet e të dyja vendeve duhet të ndërtojnë marrëdhënie më të ngushta me qëllim të shkëmbimit të përvojave mes tyre. Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Maqedonia duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve euroatlantike, sepse kjo është e ardhmja e përbashkët.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski, mbërriti sot në Kosovë në vizitë zyrtare njëditore, me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.