Lajme Shqip Tuesday, 31 July 2012 14:03

Prishtinë – Një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër dhjetë të pandehurve, tetë prej të cilëve gjyqtarë, për një rast korrupsioni.

Të akuzuarit përfshijnë ish Kryetarin e Gjykatës Komunale të Prishtinës, katër ish gjyqtarë të Gjykatës Komunale të Prishtinës, tre ish gjyqtarë të Gjykatës së Qarkut, një avokat dhe një përfaqësues të një Ndërmarrjeje Shoqërore.

EULEX bëri të ditur sot se, “prokurori e akuzoi ish kryetarin e Gjykatës Komunale për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”.

Shtatë ish gjyqtarët akuzohen për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme. Përfaqësuesi i Ndërmarrjes Shoqërore dhe avokati akuzohen për veprat penale të ndihmës për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme.

Të akuzuarit dyshohet se janë përfshirë në 15 lëndë civile, që kanë të bëjnë me padi pronësore kundër Ndërmarrjes Shoqërore, të cilat ishin nën kompetencën e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Të akuzuarit janë përfshirë në role të ndryshme në bazë të punës dhe profesionit të tyre. (LajmeShqip.com)