Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 19:59

Tiranë -. Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” njofton se prej më shumë se 48 orësh koreografi i nohur  Agron Aliaj ndodhet në ambientet e Pavijonit të Neurokirurgjisë ku ka marrë trajtimin e specializuar nga mjekët e pavijonit. Këta të fundit pohojnë se gjendja shëndetësore e Prof. Agron Alisë duhet thënë se është e rëndë por e stabilizuar.

Për  Aliaj, i cili pësoi një traumë të rëndë nga aksidenti në të cilin u përfshi, aktualisht kujdeset një ekip mjekësh nën drejtimin e Prof. Mentor Petrelës. Menjëherë pas aksidentit, koreografi i mirënjohur ka qenë i shtruar në reanimacionin e Spitalit Ushtarak dhe është ndjekur nga Dr. Fatos Olldashi.

Pas trajtimit që ka marrë në këtë spital, Aliaj është transferuar në reanimacionin e Neurokirurgjisë në QSUT ku edhe vazhdon të jetë. Kujdesi ndaj tij ka qenë maksimal si nga drejtoria e QSUT ashtu edhe nga Ministria e Shëndetësisë, ku kanë ndjekur me vëmendje shëndetin e Prof. Aliaj duke qene në kontakt të vazhdueshëm më familjarët e tij.

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ka respektuar çdo mendim e sugjerim të mjekëve  specialistë për trajtimin e mëtejshëm brenda apo jashtë vendit në mirëkuptim të plotë me familjarët.

Më kërkesën e familjarëve, pacienti do të transferohet në Spitalin “Hygeia” për një ndërhyrje ndihmuese në kolonën vertebrale, ndërhyrje të cilën e ka marrë përsipër një profesor grek.

Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e QSUT-së, respekton vullnetin e familjarëve për ta trajtuar në një institucion privat dhe me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë me propozim të Ministrisë së Kulturës do ti paraqis Qeverisë Shqiptare kërkesën për mbulimin e shpenzimeve për trajtimin e mëtejshëm të profesorit.

Edhe një herë, Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e QSUT, i uron profesor Aliajt shërim sa më të shpejtë.