Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 11:54

Korçë – Në qytetin e Korçës po ndërtohen katër pallate për të pastrehët.

Përgjegjësi i Zyrës së Strehimit në Bashkinë e Korçës, Vaskë Thimio, tha se deri tani ka përfunduar ndërtimi i një pallati në lagjen nr.16-të, me 35 apartamente dhe dyqane në katin e parë dhe po vazhdon puna edhe për ndërtimin e tre pallateve në lagjen e re përballë parkut “Rinia”. Pallati, që sapo ka përfunduar, është ndërtuar me një financim prej 80 milionë lekë nga Entit Kombëtar i Banesave dhe do të ndahet për familjet që rezultojnë të pastreha dhe që banojnë në banesat e ish- pronarëve.

Ndërkohë, tre pallatet në lagjen “Rinia” kanë 96 apartamente dhe dyqane në katin e parë dhe po ndërtohen me një financim prej rreth 1 milionë euro nga Banka Botërore. Në këto pallate do të përfitojnë strehim familjet e pastreha me probleme sociale dhe do të jepen me kredi afatgjatë shlyerjeje për 20 vjet dhe me interes të ulët.

Për zbutjen e problemit të strehimit në qytetin e Korçës, Enti Kombëtar i Banesave, vitin e kaluar ka dhënë kredi me afat të gjatë shlyerjeje dhe interesa të ulëta për 70 familje të pastreha të qytetit të Korçës dhe kjo praktikë do të vazhdojë gjatë këtij viti edhe për 180 familje të tjera të pastreha.

Në Zyrën e Strehimit të Bashkisë së Korçës aktualisht janë të regjistruara si të pastreha 2000 familje.