Një nga ish-zërat kritikë brenda Partisë Demokratike për mënyrën e drejtimit të saj dhe një ndër mbështetësit e presidentit Bamir Topi, Aleksandër Biberaj, bëri të ditur formimin e një partie të re të djathtë, lideri i të cilës do të jetë Bamir Topi.
Ai tha se në Shqipëri nuk ka më Parti Demokratike, e cila sipas tij, është shndërruar në një parti të formulës dhe vulës së kryetarit, ku mungojnë forumet dhe debatet.
Biberaj i dha fund gjithashtu edhe zërave për një lidhje mes Aleancës Kuq e Zi dhe partisë së re që pritet të krijohet, e cila, siç tha ai, është ende në fazë projekti.
“E shoh zotin Topi si lider të kësaj partie. Aktualisht po punoj me programin, me organizimin dhe mendoj që do kemi përkrahje të jashtëzakonshme. Demokratët e zhgënjyer do të jenë një përkrahje për ne. E djathta ka nevojë për një formacion të ri politik, PD nuk është më parti e djathtë, me një qeverisje të korruptuar, ku nga i pari tek i fundit punojnë 24 orë për aferat e tyre personale. Do zhvillojmë luftë për të qenë forcë e parë politike. Partia e re nuk ka dhe nuk do të ketë kurrfarë lidhje me Aleancën Kuq e Zi”, ka deklaruar Biberaj.
“Po punojmë me programin; po gjejmë kontaktet në territor; është një grup i madh njerëzish rreth kësaj nisme”, tha ai në thelb, e vetëm në fund, ndoshta ngaqë i është dukur se ka dhënë neës më shumë se da duhet e se ka ndjekur ndonjë etapë në strategjinë e promovimit të kësaj nisme, ai bëri një prapakthehu të lehtë. “Po flas në titull personal”, tha.
Besnik Mustafaj që ish, gjithashtu, në studio, u shfaq si mbështetës i kësaj nisme nga jashtë, por jo si pjesë e projektit.
Të ftuar në emisionin “Shqip” ishin edhe analistët Shpëtim Nazarko dhe Mustafa Nano dhe anëtari i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj të cilët në takimin e parë për vitin 2012, që pritet të jetë një vit shumë i rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar, ku disa ngjarje të mëdha janë të paralajmëruar që tani, dhanë opinionet e tyre lidhur me disa data e çështje kyçe.
E para, 16 janari, është dita kur gjykata do të japë vendimin mbi fajësinë e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe do të ndiqet nga parakalimi përkujtimor i 21 janarit, që do të nderojë katër viktimat që humbën jetën një vit më parë në bolevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjithashtu, ky do të jetë viti i zgjedhjeve presidenciale. Dy janë figurat që kanë konfirmuar interesin e tyre për këtë rol, Fatos Nano, që tenton për herë të dytë pas 2007-s dhe presidenti aktual, Bamir Topi.
Njëkohësisht, në 2012 duhet të përcaktohet kodi i ri zgjedhor, shansi i radhës për statusin e vendit kandidat në BE dhe mbi të gjitha, do të festohet 100-vjetori i pavarësisë së vendit.
Tuesday, 10 January 2012 12:25