Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 15:25

Tiranë – Zv/ministrja e Drejtësisë në Qeverinë shqiptare, Brikena Kasmi, tha dje se një grup ekspertësh po përgatit ndryshime në Kodin e Procedurës Civile. Qëllimi është shkurtimi i afateve të gjykimit dhe mbyllja e shtigjeve për zvarritje të proceseve. Ekzekutimi i kolateralit është bërë një nga rastet më tipike të keqfunksionimit të sistemit të drejtësisë dhe të administratës së lidhur me këtë proces.

Ministria e Drejtësisë vlerëson se ndryshimi i Kodit të Procedurës Civile mund të ndihmojë për të vendosur në rrugën e zgjidhjes këtë problem, ashtu si shumë probleme të tjera të drejtësisë shqiptare.

Por, edhe ligji në fjalë kërkon një shumicë të cilësuar për të mund të miratuar ndryshime në të. Kjo do të thotë se përsëri janë të domosdoshme edhe votat e opozitës. Vala e re e tensionit që ka përfshirë klasën politike natyrisht nuk lë të presësh asgjë pozitive.

Ligji për gjykatat administrative u bë emblema e dëmit absurd që intoleranca dhe kokëfortësia e politikës po i shkakton vendit. Ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile mund të bëhen një “kurban” i dytë i kësaj situate. Përfaqësues të bankave shprehen se prirja e biznesit për t’ju rikthyer investimeve po frenohet përsëri, pikërisht nga ashpërsimi i konfliktit politik. Por sigurisht që tensioni dhe pasiguria që po krijon kjo gjendje, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, po i prek të gjithë, sipërmarrës apo individë. Mosmiratimi i ligjeve të rëndësishme, stepja e biznesit për të investuar kanë pasoja të qarta: shtimin e problemeve që nuk do të gjejnë zgjidhje, dëmtimin e ekonomisë së vendit dhe të mirëqënies së qytetarëve shqiptarë.

Drejtuesit politikë po rrezikojnë që t’i shkaktojnë ekonomisë dëme të ngjashme, për të mos thënë më serioze se kriza e dy viteve të fundit. Diçka e tillë nuk do t’i shërbente askujt dhe askujt nuk do t’i bënte nder fatura morale dhe materiale e këtyre dëmeve. Ekonomia duhet të zhbllokohet para se pasojat të bëhen më të rënda.