Lajme Shqip Thursday, 23 July 2015 20:21

Disa dhjetëra automjete me serbë të veriut të Mitrovicës dhe të Zveçanit, në mënyrë të organizuar janë nisur për në Rudnicë, ndërsa qindra serbë të veriut të Kosovës janë mbledhur në udhëkryqin në Rudare të Zveçanit për të shprehur revoltën e tyre pas paralajmërimit të policisë kufitare në Jarinje se automjetet me tabela të regjistrimit PR, KM, PZ, PE, UR, GL, e të tjera, nuk do të lejohen të hyjnë në Kosovë nga Serbia.

Burime të gazetës “Zëri” nga ajo pjesë kanë bërë të ditur se serbët protestojnë pas paralajmërimit që ka ardhur nga pikat kalimtare në kufijtë e integruar në veri se që nga mesnata e sotme të gjitha automjeteve me tabela të regjistrimit të qyteteve të Kosovës, Prishtinë (PR), Mitrovicë (KM), Prizren (PZ), Pejë (PE), Gjilan (GL), Ferizaj (UR), e të tjera do t’u ndalohet hyrja nga Serbia në Kosovës, si dhe dalja nga Kosova.

Policia kufitare ka paralajmëruar gjithashtu konfiskimin e tabelave serbe të regjistrimit të automjeteve.

Protestuesit, si dhe kryetari i Organit të Përkohshëm i Zveçanit, kanë paralajmëruar bllokimin e rrugëve nëse ky vendim i Prishtinës zbatohet në terren. Me qytetarët e mbledhur ndodhej edhe kryetari i Zveçanit, Vuçina Jankoviq, si dhe kryetari i Organit të Përkohshëm i Zveçanit, Dragan Nedelkoviq.

Jankoviq ka përsëritur disa herë se ka për detyrë të jetë aty ku ndodhen qytetarët, ndërkohë që ka shtuar se aktualisht janë duke u zhvilluar bisedime në mes të përfaqësuesve të institucioneve të Prishtinës dhe përfaqësuesve të shtetit të Serbisë, duke përfshirë edhe përfaqësues të doganave në pikat kufitare në veri.

Në Rudare, vendin ku janë mbledhur serbët, vazhdimisht kanë qenë të pranishme forca të KFOR-it gjerman, si dhe dy automjete të EULEX-it.

Policia e Kosovës ka rregulluar komunikacionin në atë pjesë dhe qarkullimi i automjeteve është zhvilluar pa pengesa. “Sipas informatave që unë si kryetar i Zveçanit kam marrë nga policia kufitare e Kosovës, është dhënë udhëzimi sipas të cilit të gjitha tabelat me shenjat KM, PR, dhe të tjera, do të konfiskohen. Qytetarët spontanisht janë mbledhur në Rudare. Detyra ime dhe obligimi është që si kryetar të jem i pranishëm në të gjitha ato vende në të cilat është e pranishme edhe popullata”, ka thënë Jankoviq.

Duke drejtuar gishtin nga qytetarët, Jankoviq tha se të gjithë ata janë të lidhur me Serbinë, sikurse edhe ai vet. “E dini se për çdo ditë udhëtojmë për në Serbi”, është shprehur kryetari i Zveçanit. Ai shtoi se me këtë udhëzim nga pikat kufitare janë të njoftuar të gjithë kryetarët e komunave, se ata janë në kontakt mes vete dhe të gjithë presim epilogun e takimit në mes të përfaqësuesve të institucioneve kosovare dhe të atyre të Serbisë, detajet e të cilit nuk janë publikuar akoma.

Në një pyetje se a kanë kërkuar ndonjë sqarim zyrtar nga institucioneve përkatëse të Prishtinës, dhe nëse po, a ka marrë përgjigje, Jankoviq tha se kjo nuk është bërë, sepse, sipas tij, është duke u mbajtur një takim i “nivelit diplomatik”, në të cilin do të bëhen përpjekje që problemi të zgjidhet. Ai nuk ka precizuar se ku është duke u mbajtur takimi.

Ndërkaq, në pyetjen tjetër se cilët do të jenë hapat e autoriteteve të komunave veriore, nëse në pikat kalimtare në kufijtë e integruar, automjetet me këto lloj tabelash do të ndalohen, e tabelat do të konfiskohen, kryetari i Zveçanit përsëriti se detyra e tij është të jetë me qytetarët dhe se respekton çdo vendim që do ta marrin qytetarët.

Në anën tjetër, kyetari i Organit të Përkohshëm i Zveçanit, Dragan Nedelkoviq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve, nëse fillohet me konfiskimin e tabelave. “Qytetarët janë të pakënaqur. Udhëtohet për në Serbi për çdo ditë dhe qytetarët këtë nuk do ta lejojnë”, është kërcënuar ai./Zeri/