Lajme Shqip Thursday, 15 December 2011 15:04

Tiranë – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) konfiskoi gjatë këtij muaji mallra në vlerë 350 milionë lekë gjatë kontrollit në rreth 80 tatimpagues të mëdhenj dhe VIP-a, ndërsa një pjesë e tyre i kanë kaluar për hetim të mëtejshëm organeve të prokurorisë.

Sipas burimeve zyrtare të DPT-së, gjatë kontrollit në rreth 1000 biznese, ka rezultuar se në disa prej kompanive ushtrohet veprimtari jo në përputhje me legjislacionin tatimor, si diferenca në inventare dhe deklarime të rreme të bilanceve ekonomike të tyre.

Natyra e mallrave mësohet të jetë mallra ushqimore, materiale ndërtimi, birra, pije freskuese, mobilje e prodhime druri, etj.

Po ashtu, sipas DPT-së, janë bllokuar dhe konfiskuar 30 subjekte me aktivitete të ndryshme që rezultuan pa u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Gjatë kontrollit janë vendosur rreth 2 milionë lekë penalitete në 15 tatimpagues, të cilët nuk lëshonin kupon tatimor apo nuk kishin të instaluar pajisjet fiskale, rreth 50 lloje artikujsh të konfiskuar në sasira të konsiderueshme pasi qarkulloheshin pa fature tatimore, janë rezultatet e një kontrolli te ushtruar ne rreth 1000 subjekte te tregtimit të mallrave, në një periudhë kohore 14 ditore nga strukturat e Drejtorisë të Hetimit Tatimor, ne te gjitha qytetet kryesore te vendit.

Muaji dhjetor ka një vëmendje të posaçme të strukturave të Administratës Tatimore, për arsye të rritjes së aktivitetit dhe qarkullimit të mallrave, për shkak të festave të fundvitit.

Kjo vëmendje përqendrohet në lëvizjen e mallrave në akset kryesore rrugore, tregjet ushqimore me shumicë dhe pakicë, në përdorimin e pajisjeve fiskale dhe lëshimit të kuponit tatimor apo faturave tatimore.

Administrata Tatimore i bën thirrje tatimpaguesve të respektojnë detyrimin ligjor të lëvizjes së mallrave vetëm nëpërmjet dokumentave tatimore, dhe shpreh angazhimin se do të penalizojë të gjithë ata tatimpagues të cilët do të konstatohen që kryejnë shmangien e detyrimit të tyre ligjor. Burimet zyrtare thanë se Administrata Tatimore po monitoron dhe investigon çmimet për këtë periudhë festash për të mos lejuar rritjen abuzive të tyre.