Shkup – Platforma zgjedhore e BDI-së dhe lista e deputetëve në njësinë e parë zgjedhore është prezantuar dje para banorëve të fshatit Kondovë të Komunës së Sarajit.
Bartësi i listës në këtë njësi, Izet Mexhiti, duke iu drejtuar masës së tubuar theksoi se gjatë të gjithave cikleve zgjedhore BDI ka shënuar fitore, sepse siç tha ai, BDI ka program të qartë dhe punon për të mirën e qytetarëve shqiptarë.
Mexhiti përmendi projektet që ka realizuar BDI gjatë viteve të qeverisjes si: zyrtarizimin dhe disperzimin e USHT-së, institucionalizimin e institucioneve kulturore shqiptare, si Muzeu i Lirisë, Muzeu i Alfabetit të Manastirit, përfaqësimin e drejt dhe adekuat si dhe shumë projektet të tjera.
“Edhe në konventën promovuese të BDI-së populli iu tregoi qartë të gjithëve se është me BDI, andaj i ftoi edhe të tjerët, oponentët tanë që të mos lodhen me fushatë, por t’i bashkëngjiten fitores së madhe të BDI-së. Ne, në BDI i kemi dhënë vend organizatës Zgjohu, me ç`rast kryetari i saj Artan Grubi është kandidat për deputet, po ashtu vend i kemi lënë edhe organizatës El – Hilall, me kandidatin Behixhudin Shehapi për shkak të kontributit në luftën e Kosovës. Votën tuaj e kërkojmë që flamuri ynë kombëtar të valojë edhe më lartë”, theksoi Mexhiti.
Sipas tij, BDI e kërkon votën jo për të mposhtur oponentët shqiptar, por kërkohet vota sipas tij, për të mposhtur partitë maqedonase që në të ardhmen proceset politike të udhëhiqen nga Ali Ahmeti, lider i BDI-së.
Ndërkohë kandidatja për deputete, Suzana Saliu u shpreh se BDI është parti e cila në radhë të parë ka të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe realizimin e projekteve që janë në të mirë të qytetarëve. Sipas saj, prezenca masovike në këto zgjedhje tregon qartë se BDI është lëvizje gjithëshqiptare.
Gjatë këtij tubimi folën edhe kandidati për deputet, Fehmi Jonuzi dhe kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti.
Monday, 23 May 2011 10:01