Institucioneve qendrore u ka dalë problem me komunat veriore sa i përket shpërbërjes së “Mbrojtjes Civile”. 15 zyra dhe depo që ka në qenë në shfrytëzim të këtij formacioni në shtatë lokacione të ndryshme: katër në Komunën e Leposaviqit, një në Komunën veriore të Mitrovicës, një në Komunën e Zveçanit dhe një në Komunën e Zubin Potokut është dashur të dorëzohen në bazë të marrëveshjes së 26 marsit 2015.
Por, as kjo marrëveshje nuk po gjen zbatim, ngase tash komunat veriore po pretendojë se këto objekte janë në pronësi e tyre.
“Çështje e hapur ka mbetur dorëzimi i objekteve. Në bazë të informacioneve që kemi marrë nga Bashkimi Evropian, pjesëtarët e kësaj strukture kanë thënë që këto objekte i takojnë komunave dhe ata mendojë se ato duhet t’i dorëzohen komunave. Mirëpo, ne kemi kërkuar që të ketë fakte zyrtare që këto objektet janë në pronësi të komunave dhe tash jemi në pritje të këtyre fakteve”, ka thënë Edita Tahiri, ministre për Dialog.
I gjithë procesi është paraparë që të përfundojë deri më 1 shtator, ku do të rekrutohen gjithsej 483 pjesëtarë të këtij formacioni. Por, për ministren Tahiri procesi i rekrutimit dhe ai i dorëzim- pranimit të objekteve janë të ndërlidhura. /Gazeta Tribuna/
Monday, 12 October 2015 08:05