Prishtinë – Mbledhja e Komisionit për ndryshimin e ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme, doli të jetë e gjatë dhe pa rezultate. Përfaqësues të komisionit nuk e kanë të qartë se çfarë sistemi zgjedhor i duhet Kosovës.
Nga ana e tyre, ekspertët kanë kërkuar që në kuadër të këtyre ndryshimeve sistemi zgjedhor të jetë i kombinuar, përfaqësuesit e partive që janë pjesë e Komisionit për ndryshimin e Ligjit zgjedhor nuk e kanë idenë se çfarë ndryshimesh duhet të ndodhin.
Anëtari i Komisionit për reformën zgjedhore nga radhët e LDK-së, Haki Demolli, tha se në këtë takim si pikë e parë e rendit të ditës, ka qenë aprovimi i rregullores së punës të vet komisionit, pastaj, themelimi i grupit të jashtëm punues, si dhe miratimi i planit të veprimit.
“Ende nuk kemi diskutuar për çështje konkrete, mirëpo në këtë fazë kryesisht jemi duke punuar rreth konstituimit të komisionit, rreth aprovimit të planit të veprimit, rregullores dhe rreth çështjeve të natyrës së përgjithshme, kurse nga fillimi i qershorit do të fillojmë konkretisht me fillimin e grupit punues me të cilët pastaj do të debatojmë për çështje, të cilat duhet të ndryshohen”.
Kritikat për punën e komisionit nuk munguan, megjithatë Demolli konsideron se të gjitha detyrat do të kryhen brenda kohës së përcaktuar.
“E vërtetë është që nga jashtë duket se punët janë duke shkuar ngadalë, mirëpo vetëm gjatë muajit maj unë kam pasur 13 takime dhe po ashtu kemi pasur disa mbledhje në të cilat është punuar ashtu sikurse edhe sot deri në dy apo tri orë, mirëpo duhet të dini edhe anën tjetër që ne kemi një afat prej 12 muajve dhe jam i bindur që si komision ne do t’i përmbushim dhe do t’i plotësojmë detyrat tona dhe Kuvendit do t’ia paraqesim elementet konkrete”.
Demolli, bëri të ditur se në muajin, dhjetor, janar dhe shkurt, komisioni di t`i draftojë amandamentet përfundimtare, ku dhe do t`ia dorëzojë Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, përfaqësues të partive politike në këtë komision, edhe pse kanë shprehur gatishmërinë për punë, ende nuk kanë shprehur propozime të qarta për këto ndryshime, çka rezulton se idetë për ndryshimin e ligjit mbi zgjedhjet e përgjitshme ende nuk ekzistojnë.
Wednesday, 25 May 2011 15:38