TIRANE – Menjëherë sapo mbërritën propozimet e PS dhe PD, Komisioni i Ligjeve diskutoi dhe miratoi sot anëtarët e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Anëtari Viktor Gumi theksoi në nisje të mbledhjes se kandidaturat plotësojnë kriteret.
“Kandidatët Denar Biba, Albana Shtylla, Vera Shjefni dhe Hysen Osmanaj i plotësojnë kriteret e kërkuara. Kandidat e PD-së janë shqyrtuar njëherë nga Kuvendi ndërsa kandidatët e propozuar nga PS-ja janë të rinj” theksoi Gumi.
Ndërsa kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmajli ka deklaruar se nuk është e domosdoshme që propozimet e PS të vijnë në seancë dëgjimore duke shtuar se propozimet e PD-së janë shqyrtuar njëherë nga Kuvendi.
Komisioni i Ligjeve dha miratimin me konsensus për kandidaturat dhe vendosi që raporti ti kalojë seancës për miratim.
Një ditë më parë PS përzgjodhi kandidaturat e Denar Biba dhe Albana Shtylla si anëtarë të KQZ, kurse PD, kandidaturat, Vera Shtjefni e Hysen Osmanaj
Ndërkaq pritet depozitimi i propozimeve nga PBDNJ dhe LSI për anëtarë të KQZ-së.
Por, sapo Komisioni i Ligjeve vijoi me rendin e ditës për të diskutuar, pr/ligjin për nëpunësin civil, deputetët e Partisë Socialiste u larguan nga mbledhja. Deputetët e opozitës në komision i janë referuar sërish kërkesës së tyre për të zgjidhur situatën në Fieri duke braktisur sërish mbledhjen e komisionit të ligjeve.
“Nuk diskutojmë më ligje me 3/5 pa u zgjidhur problemi i Qarkut të Fierit”, thanë deputetët socialistë.
“Janë 13 vendime të gjykatës ku është fituese Partia Socialiste të cilat nuk respektohen. Zbatoni vendimet e Gjykates”, theksoi deputeti Pandeli Majko.(LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 September 2012 10:00