Lajme Shqip Friday, 08 June 2012 14:09

Tiranë – Aktori i teatrit dhe i kinemasë shqiptare, Robert Ndrenika, u nderua sot nga Presidenti i Republikës, Bamit Topi, me Urdhrin “Nderi i Kombit”,e me motivacionin:  “Personalitetit të shquar të kulturës kombëtare, artistit të madh e të dashur për publikun, i cili i dha teatrit dhe kinemasë shqiptare vlera të papërsëritshme me rolet që realizoi me mjeshtëri, origjinalitet dhe me frymë thellësisht kombëtare, duke dhënë njëherazi një kontribut të qenësishëm në shkollën shqiptare të aktrimit”.

Pas një largimi katër vjeçar, mungesa e të cilit u ndje në Teatri Kombëtar, publiku e mirëpriti Ndrenikën në dramën “Doktor Shuster” të Spiro Dunit, që u shfaq premierë pak muaj më parë.

Robert Ndrenika, një ndër aktorët me ngarkesën më të madhe në teatër dhe kinematografi, lindi në Vuno të Vlorës, në 1942. Ai mbahet mend nga publiku për rolet e tij tek “Besa” e S. Frasherit,  “Prefekti” i B. Levonjës, “Familja e peshkatarit” e S. Pitarkes, “Bashkë me agimin” e K. Jakoves, “Midis dy njerëzve” e K. Blushit, “Skënderbeu” i L. Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të I. Kadarese, “Lumi i vdekur” i J. Xoxes, etj.

Ndërsa nga dramaturgjia e huaj mund të përmendim “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” te Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të V. Eftimiut, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Çehovit, etj.

Në kinematografi ka interpretuar mbi 30 filma, midis te cilëve mund të përmendim “Horizonte te hapura”, “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Bolero” etj. Në vitin 1979 i është akorduar titulli “Artist i Merituar” dhe ne vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”. (LajmeShqip.com)