Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 13:20

Tiranë – Partia Socialiste u tërhoq nga padia ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për pavlefshmëri absolute të vendimit të datës 18 maj për vlerësimin e fletëve të votimit për kryetar bashkie, të cilat u gjenden në kutitë për funksione të tjera.

Tërheqja e socialistëve nga padia e parë u bë pasi në seancën e kësaj të premteje të Kolegjit Zgjedhor, ku do të merrej vendimi, përfaqësuesit juridikë të PS-së paraqitën që në fillim një ankimim të ri.

Ata kërkuan bashkimin e çështjes, duke ankimuar krahas vendimit të datës 18 edhe atë që u votua në tërësi më datë 23, për votat e pavlerësuara e të panumëruara. Ky ishte vendimi që u miratua pas numërimit të votave të hedhura aksidentalisht në kutitë të tjera, vendim që u pasua dhe me shpalljen e tabelës përmbledhëse të rezultateve për Bashkinë e Tiranës, nga ku rezultoi fitues Lulzim Basha, me 81 vota plus.

Për demokratët, si palë e interesuar në këtë proces, nuk ka vend për bashkim çështjesh, pasi ata e konsideruan si inekzistente çështjen për vendimin e datës 18, pra për atë mbi të cilën kolegji ishte mbledhur.

Trupi gjykues u tërhoq, për t’u kthyer pas pak minutash në sallë. Relatorja Sashenka Jonuzi komunikoi refuzimin e kërkesës së socialistëve për bashkimin e dy padive, pasi, siç tha ajo, nuk ishte ndjekur procedura ligjore, nuk kishte hedhur shorti, nuk ishte caktuar relatori dhe palët nuk ishin njohur me padinë e sapombërritur.

Në këtë moment, për të cilin mesa duket socialistët ishin përgatitur, kërkuan tërheqjen nga padia e parë, duke kërkuar vetëm shqyrtimin e padisë së re.

Përfaqesuesi juridik i selisë rozë, Eno Bushi, pranoi se padia e parë ishte pa argumentat e duhura dhe padia e re është më e plotë, pasi përfshinë vendimin e datës 23 maj.

Më pas Kolegji Zgjedhor hodhi shortin për trupin gjykues, me relator Tomë Ndreca, dhe anëtarë të tjerë Petraq Dhimitri, Astrit Kalaja, Sashenka Jonuzi dhe Entela Prifti. Ankimimi i ri i PS do të shqyrtohet më 3 qershor.

Socialistët që në krye të herës i kanë cilësuar të pavlefshme vendimet e datës 18 dhe 23 maj, pasi në këndvështrimin e tyre ai është akt normativ i KQZ-së dhe si i tillë duhej miratuar me një shumicë të cilësuar prej të paktën 5 votash. Por, përfaqësuesit demokratë e kanë cilësuar atë si një vendim të KZAZ-së për Bashkinë e Tiranës, që votohet me shumicë të thjeshtë dhe i cili, bazuar në një praktikë ligjore, precedentësh dhe parktikash të organizmave ndërkombëtarë, i njeh si të vlefshme votat e rregullta për nje funksion, ndonëse aksidentalisht janë hedhuar në kutitë të funksioneve të tjera.