Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 06:18

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit shqyrtoi të hënen kërkesën ankimore të Partisë Socialiste ndaj një vendimi të KQZ-së për 18 qendrat e votimit të ngritura në ambiente private të Bashkisë Kamëz, të cilat sipas saj, janë vendosur në kundërshtim me kriteret e parashikuara në Kodin Zgjedhor.

Pas shqyrtimit të kësaj kërkese Kolegji Zgjedhor vendosi të pranojë ankimimin e opozitës vetëm për tre, nga 18 QV e ngritura në ambiente private në Kamëz.

Sipas vendimit të Kolegjit, 15 qendrat e tjera të ngritura në objekte private në bashkinë Kamëz janë vendosur në përputhje me dispozitat e kodit zgjedhor, ndërsa vetëm tre prej tyre janë në kundërshtim me kriteret e parashikuara në ligjin zgjedhor.

Kërkesa ankimore e PS-së vërente se vendosja e QV-ve në ambiente private ishte e panevojshme pasi në territorin e Bashkisë Kamëz ekzistojnë të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për të caktuar QV-të në ambiente publike, në respektim të dispozitave të Kodit Zgjedhor.

PS në ankesën e saj pretendon se caktimi i QV-ve jashtë kritereve ligjore dhe në ambiente që e bëjnë të pamundur kryerjen e një procesi normal zgjedhor, lë shkak për dyshime në manipulimin e procesit.