Prishtinë – Kolegji Zgjedhor pranoi të premten ankimimin e Partisë Demokratike për shpërndarjen e mandateve të këshillit të Bashkisë Tiranë.
“Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë në mbështetje të nenit 158, paragrafi 3 të kodit zgjedhor vendosi pranimin e kërkesë-padisë të paditësit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” si më poshtë:
“Ndryshim të vendimit nr. 1192, datë 11 korrik të KQZ-së, duke bërë shpërndarjen e mandateve të këshillit të Bashkisë Tiranë, mbi bazën e tabelës së rezultateve të KQZ-së”, citohet vendimi i shpallur mesditën e sotme nga relatorja e çështjes, gjyqtarja Neriban Mullai.
Në ankimimin e depozituar më 12 korrik, PD i kërkoi Kolegjit Zgjedhor shpërndarjen e mandateve të këshillit bashkiak për Tiranën, në bazë të tabelave përmbledhëse të nxjerra nga KQZ.
Më 11 korrik, KQZ nuk arriti të miratojë për mungesë kuorumi (5 vota) p/vendimin “Për shpërndarjen e mandateve për këshillin e Bashkisë Tiranë, për zgjedhjet vendore të 8 majit”, i cili u votua në parim me 4 vota pro dhe 2 kundër.
Sipas tabelës përmbledhëse të KQZ-së për Tiranën, në bazë të votave të marra në zgjedhjet vendore të 8 majit, koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” do të ketë 28 vende në këshillin bashkiak të Tiranës, ndërsa koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen”, 27 vende.
Friday, 15 July 2011 14:03