Koçani – Tre aktivistë të VMRO-DPMNE-së, me kërcënime verbale dhe fizike e kanë ndaluar të hënën mbrëma ekipin e Televizionit “A1” të incizojë mbledhjen parazgjedhore të qytetarëve të kësaj partie në fshatin Çiflig të Koçanit. Ngjarja është mbajt në sipërfaqe të hapur. Xhiruesi i televizionit “A1”, Teodor Kusakatov, së pari ishte shtyrë fizikisht nga ana e një anëtari të DPMNE-së. Por, pas disa minutave nga turma vrapuan edhe dy persona, të gjithë me tranasprenta partiakë, pa shenja sigurimi apo shërbime kujdestarie dhe e kanë rrethuar xhiruesin.
“Aktivisti i parë i DPMNE-së, që kur mori përgjigje se unë jam xhirues i televizionit ‘A1’, më goditi mbi sup dhe më shtyu nga grupi i njerëzve të tubuar. Qëndrova pas së bashku me kolegen time dhe pasi biseduam me dy qytetarë nga fshati, u përgatitëm të largohemi. Atëherë, nga turma vrapuan edhe dy persona tjerë dhe filluan të ma kërkonin kasetën në të cilën kisha incizuar, ndërkohë duke e goditur kamerën dhe duke u munduar ta nxjerrin kasetën prej aty. Duke pasur parasysh gjendjen time shëndetësore, që të ndaloj ndonjë incident më serioz ia dhashë kasetën”, ka thënë Kusakatov.
“A1” në Çiflig ishte në një miting të vogël të partisë qeverisëse VMRO-DPMNE. Atje ishte edhe Mileva Cvetanova, nëna e ish drejtorit të Drejtësisë kundër larjes së parave, Vane Cvetanov, e cila dëshironte t’i parashtron pyetje kandidatit për deputet Gjorçev, por në vend të përgjigjes edhe ajo gjithashtu ishte larguar me forcë.
“Isha e larguar, po shikonte e gjithë turma, më kishin kapur te duart, kurse nga njëra pjesë e turmës vazhdonin të më sulmonin me duar. Në atë moment vetëm bashkëshorti im erdhi të më ndihmojë”, ka thënë Cvetanova. Menjëherë pas incidentit ekipi i “A1” për shkak të ndalimit të kryerjes së detyrave të punës, rastin e ka paraqitur në policinë e Koçanit. Edhe Cvetanova ka paraqitur padi, por për dhunë. Ngelet e hapur pyetja se vallë aktivistët e VMRO-DPMNE-së me marrjen e kasetës kanë dashur të fshehin faktin se kandidatët e tyre për deputet nuk kanë përgjegjësi për papërshtatshmëritë, por vetëm për pyetje të porositura.
Tuesday, 31 May 2011 15:24