Lajme Shqip Sunday, 09 February 2014 14:54

Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, i është përgjigjur me kundërakuza opozitës,  lidhur me sigurinë rrugore, duke e bërë përgjegjëse për shtrim rrugësh jashtë çdo standardi. Klosi u shpreh se qeveria e PD prishi lekët e shqiptarëve për shirita rrugës të ndërtuara pa standarde. 

“Edhe pse çdo ditë e më shumë shqiptarët po vuajnë e vajtojnë tragjeditë e rrugëve të prishura, gjithashtu po kuptojnë se sa të rëndësishme janë standardet dhe siguria në ndërtimin e rrugëve po shohin pushtetarët e deri djeshëm të sulmojnë kryeministrin pse inspekton kantieret e hapura në Shqipëri. Sipas tyre këto janë punët e Saliut dhe qeveria nuk duhet të merret me to. Sa mirë do ishte sikur qeveria dhe kryeministri t’i kishin gjetur të bitisura rrugët e nisura; sikur të mos kishin gjetur malin me borxhe që i mbante bllokuar të gjitha rrugët e lëna rrugëve; sikur të paktën projektet të ishin bërë me standarde evropiane dhe paratë e shqiptarëve të mos ishin bërë rrush e kumbulla për shirita rrugësh, që mund të quhen vetëm shtigje aksidentesh e ndotjeje kështu siç i lanë”, tha Klos. 

“Por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu. Fatkeqësisht qeveria dhe kryeministri duhet të merren në radhë të parë me ndreqjen e gabimit të rëndë politik e financiar që është bërë me kantieret e infrastrukturës. Dhe jo vetëm duhet të shkojnë nëpër kantiere, po mundësisht në çdo kantier dhe mundësisht edhe më shpesh. Sepse është një kulturë e tërë pune me rrugët që duhet ndryshuar. Duhet ndryshuar sjellja e kompanive me kontratat, tanimë që qeveria po i respekton ajo e para kontratat. Duhet imponuar respektimi i afateve. Duhet ngritur në këmbë e gjithë sinjalistika rrugore që kaq shumë na mungon. Dhe në fund të fundit duhet forcuar përditë partneriteti me kompanitë që deri dje janë zhvatur babëzisht në dëm të cilësisë”,- deklaroi Klosi, raporton shekulli.  

Ai sulmoi kryetarin e Bashkisë duke theksuar se nuk mbajti premtimet dhe e la Rrugën e Elbasanit në gjendje të mjerueshme. “Mjafton të shohësh Rrugën e Elbasanit në dalje të Tiranës, kryeqytetit të braktisur nga kryebashkiaku i strehuar te SHQUP-i, i cili iu përbetua qytetarëve se s’do merrej me politikë po me qytetin dhe jo vetëm nuk e mbajti premtimin e tij madhor asnjë ditë, po i ra me top bashkisë për t’u bërë topi i Saliut në parti. E pra a mund të pranoje kush të dëgjojë akoma me seriozitet këta njerëz që e lanë atë arterie kryesore të Tiranës gati dy vjet gërmadhe e tani thonë mos e prekni se e kemi bërë ne? Askush s’mund t’i marrë seriozisht. Njerëz të dëshpëruar bëjnë vetëm gjëra të dëshpëruara”,- deklaroi Klosi.