Prishtinë (PLOTËSUAR 21:31) – Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e shtypit dhe e informacionit e EULEX-it, ky mision ndërkombëtar në Kosovë, para pak çastesh ka deklaruar se pas sqarimit nga Gjykata Kushtetuese për imunitetin, Fatmir Limaj u shfaq sot në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Me kërkesë të një prokurori, gjykatësi i procedurës paraprake, thuhet në kumtesë, ka urdhëruar 30 ditë arrest shtëpiak për Fatmir Limajn dhe konfiskimin e përkohshëm të dokumenteve të tij të udhëtimit.
Muajin e kaluar është konfirmuar aktakuza ndaj Fatmir Limajt dhe nëntë të tjerëve në Rastin Kleçka, përfundon kumtesa e EULEX-it.
****************************
Prishtinë (PLOTËSUAR 20:27) – Burime të Portalit LajmeShqip.com nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë njoftojnë se është caktuar arrest shtëpiak 30-ditësh ndaj Fatmir Limajt. Burimet njoftojnë se nuk do të ketë prononcim për media.
Nga gjykata ka dalë avokati i tij, por jo edhe Fatmir Limaj. Bëhet e ditur se ai mund të transferohet në shtëpi nga policia. Avokati ka thënë se mbrojtja nuk do ta kundërshtojë vendimin e gjykatës pëar arrest shtëpiak.
****************************
Prishtinë (PLOTËSUAR 19:32) – Sipas burimeve të Portalit LajmeShqip.com nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, gjykatësi ka propozuar arrest shtëpiak për nënkryetarin e PDK-së dhe deputetin Fatmir Limaj.
Sot, Limaj është paraqitur vullnetarisht në gjykatë, për Rastin Kleçka, pas vendimit të dy ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese rreth mungesë së imunitetit të zyrtarëve të shtetit.
****************************
Prishtinë – Burime të portalit kanë bërë të ditur se në këto momente Fatmir Limaj është dorëzuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku pritet të mbahet një seancë për Rastin Kleçka.
Dorëzimi është bërë pas fletarrestit në fuqi dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për imunetitin.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim me të cilin konstatoi se nuk ka imunitet për asnjërin prej zyrtarëve të lartë të vendit nëse ata ndiqen për vepra pernale dhe shkelje të ligjit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 September 2011 17:34 